Fjalë Kyçe

KQZ-ja certifikon rezultatet e zgjedhjeve, VV-ja fiton me mbi 50 % të votave

KQZ-ja certifikon rezultatet e zgjedhjeve, VV-ja fiton me mbi 50 % të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë sot certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave, PDK-ja 17 për qind, LDK-ja 12.73 për qind ndërkaq AAK-ja 7.12 për qind. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48,87%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha në fillim të mbledhjes se KQZ-ja ka arritur të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve pavarësisht sfidave me të cilat është përballur.

“Edhe pse puna e KQZ-së në këtë proces zgjedhor është shoqëruar me sfida të shumta, duke filluar me kohën e shkurtër në dispozicion për të organizuar zgjedhjet, por edhe me problematika që në të shumtën e rasteve padrejtësisht i faturohen KQZ-së, mund të them se KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Daka.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së ardhshme dhe subjekteve politike që t’i japin rrugën e duhur reformës zgjedhore.

“KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë”, ka thënë Daka.