Fjalë Kyçe

Krasniqi: Partitë opozitare janë të pasinqerta kur flasin për zgjedhjet

Krasniqi: Partitë opozitare janë të pasinqerta kur flasin për zgjedhjet

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi sot në Kuvend se kësaj partie i intereson vetëm zhbllokimi i KQZ-së, andaj ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që sa më parë të marrë një vendim për këtë institucion të rëndësishëm zgjedhor.

Ai partitë opozitare i ka quajtur të pasinqerta derisa po flasin për zgjedhje, duke thënë se nëse shkon vendimi për KQZ-në, në Gjykatën Kushtetuese nuk do të mund të ketë as zgjedhje në vend.

“PDK kërkon vetëm funksionalizimin sa më parë, inatet personale që mund t’i kenë partitë që kanë kali në garë, që u takon një apo nuk iu takon asnjë, që nuk iu takon asnjë, që iu takon dy ose nuk iu takon, në vlerësimet e tyre të ekspertëve si i quajta për neve janë irelevante. Arsyeja pse ne nuk e votojmë këtë rezolutë ka të bëjë me parimin e mosndërhyrjes në pushtetet e ndara, vetëm për këtë mundemi me ua nënshkruar sot pa asnjë problem, por besoj që e thyejmë parimin e ndërhyrjes nga një pushtet në pushtet tjetër. Për neve është me rëndësi presidenti me marr një vendim. Krejt çka janë duke folur këto partitë opozitare për zgjedhje, janë të pasinqertë, janë ‘hajgaregjinj’, kurrgjë tjetër, sepse nëse sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nuk ka KQZ, rrjedhimisht nuk mund të ketë as zgjedhje”, ka thënë ai.

Ndryshe, ka disa muaj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional për shkak të mos emërimit të anëtarëve të ri nga presidenti i vendit.