Fjalë Kyçe

Krasniqi: Presidentja e komplikoi çështjen e anëtarëve të KQZ-së për interesa të LVV-së

Krasniqi: Presidentja e komplikoi çështjen e anëtarëve të KQZ-së për interesa të LVV-së

Albert Krasniqi nga “Demokraci +”, e ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani në lidhje me kërkesën e saj dërguar Gjykatës Kushtetuese për interpretim rreth çështjes së ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Krasniqi thotë se Presidentja ka vendosur ta komplikojë një çështje kaq të thjeshtë në interes të partisë Lëvizja Vetëvendosje, pasi, sipas tij, dihet se kujt i takon e drejta e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur asnjë mundësi tjetër, përveçse të shpallë të papranueshme kërkesën e Presidentes Osmani-Sadriu lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së. E para, se Gjykata Kushtetuese nuk është institucion këshillëdhënës, dhe e dyta, se kjo ka qenë çështje për të cilën Gjykata ka vendosur më parë. Se kujt i takon e drejta e emërimit të anëtarëve në KQZ, është një çështje e thjeshtë të cilën Presidentja ka vendosur ta komplikojë për interesat e partisë në pushtet”, u shpreh Krasniqi në një postim në Facebook.

Ai theksoi se Presidentja Osmani, me mosemërimin e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, ua ka mohuar të drejtën kushtetuese dy partive, PDK-së dhe Koalicionit VAKAT.

“Me mos emërimin e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, Presidentja është duke iu mohuar të drejtën kushtetuese PDK-së dhe Koalicionit VAKAT për emërim të anëtarëve në KQZ”, theksoi Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese, përmes një komunikate dërguar mediave, ka njoftuar se ka hedhur poshtë kërkesën e presidentes Osmani rreth çështjes në fjalë, duke thënë se: “Në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”.