Fjalë Kyçe

Krasniqi: Qeveria të respektojë lirinë e medias dhe t’i ndalë kërcënimet ndaj gazetarëve

Krasniqi: Qeveria të respektojë lirinë e medias dhe t’i ndalë kërcënimet ndaj gazetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me raportin e DASH-it për Kosovën ku përmendet liria e mediave.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Krasniqi ka ftuar qeverinë të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre.

“Raporti për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë të cilat i kemi thënë vazhdimisht edhe ne si opozitë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave.

Në qendër të këtij vlerësimi për vështirësitë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar drejtë, hapur dhe në mënyrë të pavarur, raporti ka përmendur pengesat, mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit.

Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike. Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht.

Prandaj, duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike.”, ka shkruar Krasniqi.