Fjalë Kyçe

Kreu ARC-së tregon se a është shkarkuar apo jo

Kreu ARC-së tregon se a është shkarkuar apo jo

Një ndryshim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme u raportu të jetë bërë së fundi. Në media u raportua se Kryeshefi i Agjencisë së Regjistrimit Civil Bekim Hoxha është shkarkuar sot nga kjo pozitë.

Sipas raportimeve të fundit thuhet se është pikërisht ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i cili ka shkarkuar Hoxhën nga posti të cilin e drejtonte tash e sa kohë.

Por i kontaktuar nga lajmi.net, Bekim Hoxha ka kundërshtuar një informacion të tillë. Ai deklaroi se ai është larguar, pasi ka përfunduar mandatin e tij në këtë post.

“Jo nuk është e vërtetë kjo, unë nuk jam shkarkuar. Unë e kam kry mandatin tim në vitin e kaluar. Pra s’jam shkarkuar, nga ajo kohë unë vetëm kam kryer punën e ushtruesit të detyrës ashtu siç është kërkuar nga Ministria e Brendshme. Unë e kam kryer në mënyrë të rregullt, s’kam pas të bëjë me asnjë shkarkim. Më kanë caktuar me vendim në kohë pandemie si ushtrues detyre derisa të hapet vendi për drejtues të ri. Pra unë jam larguar nga detyra me vetdëshirë, është për çështje personale e familjare. E vendimi është edhe zyrtar pra s’ka të bëjë me shkarkim”, tha Hoxha.

Sipas burimeve të lajmi.net në vend të Bekim Hoxhës në krye të Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës është emëruar Blerim Camaj. Camaj ndryshe ishte kryeshef i Agjencionit të Regjistrimit Civil (ARC) edhe gjatë vitit 2017.

Duhet përkujtuar që në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme së fundi janë bërë një sërë ndryshimesh, ndërsa është pikërisht i pari i kësaj ministrie, Xhelal Sveçla i cili ditë më parë ka anuluar një tender në vlerë 12 milionë euro, i cili ishte i dedikuar për furnizim me dokumente personale identifikuese.

Tenderi në fjalë ishte hapur gjatë kohës kur MPB drejtohej nga Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në kuadër të MPB së fundi janë raportuar mungesa të shumta si në materiale për furnizim me letërnjoftim, por edhe në materialet për furnizim me tabela të veturave. Me probleme të ngjashme qytetarët janë përballur disa herë radhazi.