Fjalë Kyçe

“Krizë humanitare”, SPK: Policët në Leposaviq e Jarinjë janë të bllokuar qe 8 ditë

“Krizë humanitare”, SPK: Policët në Leposaviq e Jarinjë janë të bllokuar qe 8 ditë

Sindikata e Policisë së Kosovës i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të ndërmarrin veprime për të krijuar kushtet që në veri të zhbllokohen rrugët.

Sindikata ka thënë se për shkak të barrikadave të vendosura nga “grupe jolegjitime kriminale”, policët në Leposaviq dhe Jarinjë nuk kanë pasur mundësi ndërrimi.

“Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizje e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit dhe zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinje kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndrrimi sipas rregullave për funksionim normal. Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e policisë janë duke i përcjellë nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndrrimi”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Ndërsa thuhet tutje se shëndeti dhe jeta e këtyre zyrtarëve policorë që gjenden atje është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë.

“Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht”, ka thënë SPK.