Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga bashkatdhetarët që të jenë të kujdesshëm në vozitje.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, i ka bërë apel bashkatdhetarëve që kur të vijnë në Kosovë të kenë kujdes në vozitjen e automjeteve.
“Kam lutje për të gjithë ata që vijnë nga diaspora të bëjnë kujdes në vozitje në drejtim të makinave sepse shtohet numri i veturave dhe aksidenteve të komunikacionit. Iu bëj apel që të kenë kujdes në vozitje në drejtim të automjeteve në komunikacion”, deklaroi Haradinaj, i cili tha se e përshëndet aksionin e Policisë së Kosovës për rastin e patentë shoferëve dhe për veprimet jo ligjore që kanë ndodhur në këtë proces.
Haradinaj po ashtu ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të hiqet kartoni i gjelbër për bashkatdhetarët.
“Ne jemi të vetëdijshëm se e kemi zhgënjyer diasporën me kartonin e gjelbër mirëpo, nuk do të ndalemi në punë që një ditë kartoni i gjelbër të hiqet”, u shpreh Haradinaj, i cili shtoi se ky karton nuk i shërben për të mirë as Kosovës e as bashkatdhetarëve.