Një nga fituesit e Çmimit Nobel të Paqes 2015, ekonomistja tuniziane Uided Bushamaui, ka thënë se ajo do të nominojë kryeministrin e Maqedonisë dhe atë të Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, për nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme midis vendeve të tyre.
“Unë e shoh marrëveshjen e Prespës, në të cilën të dyja palët dhe ndërmjetësit kanë vënë aq shumë energji, si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm që meriton të nominohet për çmimin Nobel për Paqe,” tha Bushamaui për mediat të hënën, duke shtuar se marrëveshja mund të shërbejë si një model për zgjidhjen e problemeve në të gjithë botën.
Fituesja tuniziane e Çmimit Nobel është aktualisht në Shkup ku të martën do të paraqesë zyrtarisht nominimin e saj në një ceremoni të veçantë.
Maqedonia dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje historike në qershor për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi emrin e Maqedonisë dhe pasi e kaluan pjesën e parë të vitit në bisedime të vështira të ndërmjetësuara nga OKB-ja.
Marrëveshja u nënshkrua në brigjet e Liqenit të Prespës, që lag të dy vendet, pavarësisht kundërshtimit të hidhur nga të djathtët në të dy vendet.
Marrëveshja, e cila duhet të vihet ende në zbatim në Maqedoni dhe më pas duhet të ratifikohet në Greqi, do t’i japë fund një mosmarrëveshje prej dekadash në lidhje me përdorimin e termit “Maqedoni”.
Sipas marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut me qëllim që të kënaqë shqetësimet e Greqisë fqinje, e cila ka një krahinë me të njëjtin emër dhe historianët e të cilës prej kohësh kanë pretenduar se Maqedonia është një pjesë ekskluzive e trashëgimisë helene.
Marrëveshja do t’i hapë dyert Maqedonisë për anëtarësimin në NATO dhe BE. Greqia deri më tani ka përdorur ndikimin e saj për të vënë veton në pranimin e fqinjit të saj.
Bushamaui, e cila është gruaja e parë në krye të Dhomës Tuniziane të Tregtisë, u nderua me Çmimin Nobel si pjesë e ekipit që përbëhej nga “Kuarteti Kombëtar i Dialogut” tunizian, një koalicion i organizatave lokale të shoqërisë civile.
Çmimi shkoi për “kontributin vendimtar të Kuartetit në ndërtimin e një demokracie pluraliste në Tunizi” në vazhdën e të ashtuquajturit Revolucion Jasmin i vitit 2011.