Fjalë Kyçe

Kryesindikalisti Balaj tregon se kur dalin pagat për punëtorët e Telekomit

Kryesindikalisti Balaj tregon se kur dalin pagat për punëtorët e Telekomit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka treguar për shkaqet e mosdhënies së pagave disa nga punëtorët e kësaj kompanie.

“80 për qind e punëtorëve i kanë marrë pagat, vetëm stafi menaxherial jo. Besoj që sot ose nesër më së largu të gjithë punëtorët do t’i kenë pagat”.

“Gabimi është nga brenda dhe jo te ATK-ja, por Telekomi ka pasë telashe në vazhdimësi që nuk kemi mundur t’i paguajmë në kohë të gjitha shpenzimet e ATK-së. Kjo ka të bëjë më shumë me atë kohën kur na kanë ikur operatorët apo mund të them në kohën kur është proklamuar që Telekomi është më gjendje të rëndë dhe po shkon drejt falimentimit”.

“Të gjitha kompanitë me të cilat kemi kontraktuar kanë filluar t’i bllokojnë llogaritë nga frika dhe ndoshta kemi mbetur pa mjete. Ne e kemi arritur një marrëveshje me ATK-në dhe besoj se nuk do të kemi këso telashe. Besoj që kjo është e para herë dhe e fundit në Telekomin e Kosovës”.

Balaj mohon se Telekomi është drejt falimentimit dhe fajëson politikën për ndërhyrje.

“Telekomi i Kosovës është truri i vetë shtetit sepse të gjitha institucionet shtetërore janë të lidhura me Telekomin. Nuk ka shanse që ai të falimentojë sepse askund në botë Telekomi nuk falimenton”

“Ka qenë ndoshta i qëllimshëm që me pru Telekomin në këtë gjendje. Ka qenë interes i njerëzve dhe klaneve të organizuara për të shkatërruar atë.

“Ka qenë një kompani që i ka dhënë shteti mbi 500 milionë. Pas pavarësisë ka filluar edhe rënia për shkak të menaxhimit të keq, bordet politike e kanë pru atë në një gjendje jo të mirë. Por është e lehtë të rimëkëmbët Telekomi menaxhimi i mirë, një investim strategjik dhe normalisht duhet ndihmuar sepse nuk janë punëtorët por vetë shteti”.

Balaj në Sytë 7 thotë se janë lider sa i përket konkurrencës dhe beson që brenda dy vjetëve ndoshta do të jetë i gatshëm që Telekomi të japë prapë miliona shtetit.

Sa i përket ndërrimit të qeverisë ai tha se nuk frikësohen siç është thënë, por se janë vetëm disa individë.

“Ne nuk i frikësohemi ndryshimeve politike sa i përket asaj që është keqkuptuar. Ndoshta dikujt nuk po i konvenojnë ndryshimet, por janë individë që nuk çojnë peshë. Ata që janë munduar të bëjnë këtë lloj propagande. Presim bashkëpunim të mirë nga qeveria që do të vjen”.

Ndërkaq, Balaj tha se ligji i ri i pagave është i dëmshëm për ndërmarrjet publike vetëfinancuese sepse konkurrenca e tregut është e madhe.

“Jemi ndërmarrje e konkurrencave dhe që nuk marrim buxhet prej shtetit. Nuk mundesh me qenë pjesë e një ligji që shkakton telashe. Jemi në konkurrencë në treg me paga më të vogla se të tjerët diku 20 për qind dhe rrezikojmë që të na ikin të gjithë inxhinierët dhe profesionistët”.