Fjalë Kyçe

Kryesindikalisti i Policisë: Inspektorati Policor të mos bëjë arrestime spektakolare

Kryesindikalisti i Policisë: Inspektorati Policor të mos bëjë arrestime spektakolare

Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë kryer sot aksionin “Pika 2” ku janë arrestuar 26 zyrtarë policorë, të cilët dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

Operacionit të IPK-së i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitetet të kundërligjshëm të një numri të zyrtarëve policor. Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me Struktura të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencinë për Mbikëqyrje Policore, e cila ka arrestuar po ashtu 31 zyrtarë policorë të dyshuar për përfshirje në korrupsion.

Lidhur me këtë aksion ka folur edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

Ai ka thënë se si Sindikatë nuk duan të përzihen në hetimet e rastit, por ka thënë se kanë vërejtje në disa veprime të IPK-së.

“Ne kemi vërejtje në disa veprime të IPK-së për shkak se si në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e tanishëm kishte një informacion në media para se të arrestoheshin zyrtarët policorë. Të gjithë ata që punojnë në hetime dhe këtë e dinë edhe IPK-ja e dinë se një informacion i tillë nuk guxon të zbulohet për askënd”, ka thënë Zeqiri, për RTK.

Ai ka thënë se secili zyrtar policor që bën veprim penal e përfaqëson vetëm individin dhe jo institucionin, teksa ka kërkuar nga IPK-ja të jetë më e kujdesshme kur bëhet fjalë për këto aksione.

“I kisha rekomanduar IPK-së të mos të bëjnë spektakle sepse zyrtarët policorë arrestohen para kamerave të mediave. Asnjë zyrtar policor nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh që të mos i përgjigjet ftesës së organeve të drejtësisë. Pra të mos të bëhet arrestimi i tyre para mediave. Pse mediat ta kenë informacionin para se të arrestohen ata, sepse kështu po humb imazhi i një institucioni, gjë që nuk e meritojmë“, ka shtuar Zeqiri.

Sipas tij nga aksioni paraprak diku rreth 20 zyrtarë policorë janë liruar në procedura të tjera.

Ai ka thënë se nëse ata dalin të pafajshëm dikush do të duhej të shkonte në përgjegjësi, sepse nëse qoftë vetëm nëse një zyrtar policor del i pafajshëm atij i ka humbur integriteti policor, derisa po dëmtohet edhe imazhi i institucionit.

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se dy aksionet e kohëve të fundit dhe arrestimi i një numri të madh të zyrtarëve policorë, të dyshuar për përfshirje në afera kurruptive dhe kontrabandë, tregon se është dashur që qysh më herët të ndërmirren masa të mbikqyrjes nga menaxhmenti policorë dhe të mos kulmojë me një numër kaq enorm të të arrestuarve.

“Kjo po ndodh pasi zyrtarët policorë vazhdojnë të qëndrojnë në pikat e njëjta kufitare dhe ata janë familjarizuar ndonjëherë me të mirën, e nganjëherë me të keqen e krejt kësaj dhe kjo po tregon se jo vetëm ana e Kosovës po edhe ajo e Shqipërisë, që mendoj se është më e theksuar, janë të përfshirë në këtë. Mendoj se aksionet e tilla të përbashkëta të organeve mbikëqyrëse po japin rezultate dhe përfundimisht ky trend në rritje i përfshirjes së zyrtarëve policorë në afera korruptive duhet të ndalet”, ka thënë Ibishi.

Aksioni i sotëm është i dyti që u zhvillua brenda pak javësh për korrupsion në pikat kufitare të Kosovës. Në aksionin e parë të IPK-së i koduar me emrin “Pika 1” ishin arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë.