Fjalë Kyçe

Kryetari i bordit të RTK-së paralajmëron shkurtime të vendeve të punës

Kryetari i bordit të RTK-së paralajmëron shkurtime të vendeve të punës

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini gjatë raportimit të tij para Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se është i shqetësuar me shpenzimet e mëdha për paga në televizionin publik, derisa theksoi se në këtë medium publik, më shumë ka redaktorë se sa gazetarë.

Sipas Boletinit në këtë televizion janë 80 redaktorë e 60 gazetarë.

“Si Bord i ri, të gjitha këto shqetësime i ndajmë me ju, fatkeqësisht shpenzimet janë për paga. Për neve ky numër që kemi gjetur, ne nuk kemi shkuar aty me heq njerëz prej pune. Ne kemi shku për t’i motivuar njerëzit për të punuar. Dhe, situata të cilën e kemi gjetur është problematike, sepse si punëtorë të rregullt në televizion më shumë ka redaktorë se gazetarë, madje goxha shumë. Janë diku mbi 80 redaktorë, ndërsa rreth 60 gazetarë në total”, theksoi Boletini.

Kryetari i ri i Bordit të RTK-së, Boletini tha se sa i përket reduktimeve të shpenzimeve, ende mbetet shqetësuese lista e punëtorëve të rregullt, dhe numri i punëtorëve të angazhuar. Madje, ai tha se si bord kanë vendosur që ta eliminojnë këtë dukuri.

“Kemi parë që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve i është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca. Përveç shpenzimeve që janë bërë, që ndoshta kanë qenë edhe të paarsyeshme, ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve, sepse ky lloj i kontratës nuk parash asnjë benefit të punës. Ka pasur raste kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pasi kanë lindë. Ne si bord jemi të vendosur që këtë problem ta eliminojmë”, theksoi ai.

Boletini ka siguruar anëtarët deputetë të Komisionit se nuk ka me pasur hapje të vendeve të reja të punës në RTK, ndërkohë që theksoi se do të ketë shkurtime.

“Ideja është që nuk ka me pasur rritje të vendeve të punës, ashtu qysh është raportuar para disa ditëve, përkundrazi ka me pasur shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, theksoi ai.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se si Kuvend kanë interes që RTK-së t’i sigurojnë një pavarësi editoriale ku sundon rendi dhe ligji.

“Këto informacione na duhet t’i diskutojmë në një frymë të sinqeritetit, të cilën ne nuk e kemi pasur më herët. Prandaj, që ne dhe ju nuk kemi qëndrime të ndara, të dyja palët i kemi qëllimet e njëjta ndaj publikut. Kemi interes që të sigurohet një institucion ku ka rend dhe ligj, pavarësi editoriale, qëndrueshmëri financiare dhe kushte solide për punë. Kështu që, të mërkurën mund ta bëjmë këtë diskutim”, theksoi Muja, përcjell kp.

Ndërsa, nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku duke kërkuar përgjegjësi nga bordi ri për shlyerjen e borxheve në RTK-së, tha se është gabim të ndahen mjetet për RTK-në çdo tre muaj.

“Për mua është gabim çështja që ne vazhdimisht të bëjmë blerje dhe votojmë një projeksion tremujor, sepse po e cenojmë pavarësinë e RTK-së. Mendoj, se pavarësisht mendimeve ndryshe që kemi ne si pozitë dhe opozitë, besoj se duhet të rregullojmë këtë çështje dhe të krijojmë një pavarësi financiare edhe të RTK-së. Sigurisht se jam që për çdo cent nga Kuvendi të arsyetohet, dhe të raportohet, por jo që ata në një mënyrë t’i vëmë në presion në çdo tre muaj. Si Komision duhet të shqyrtojmë mundësinë e ndryshimit të këtij lloj planifikimi të raportimit”, theksoi Lushtaku.

Kryetari Boletini duke iu përgjigjur Lushtakut, tha se 1.6 milionë euro borxhe nuk janë të përfshira në programin buxhetor për vitin 2022, sepse sipas tij RTK ka 2.2 milionë euro buxhet më pak sesa në vitin paraprak. Boletini më tej shtoi se bordi ka për qëllim dhe strategji për t’i rritur të hyrat përmes aktivizimit të departamentit të marketingut.

Gjatë raportimit, ai ka folur edhe për punësimet dhe të angazhuarit në RTK 2, që transmeton program në gjuhën serbe.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar Programin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022 në shumën prej 2 milionë e 240 mijë euro.

Ndërkohë, të mërkurën e ardhshme në këtë Komision do të diskutohet projeksioni i përgjithshëm për krejt vitin 2022 dhe raporti për vitin 2021, i RTK-së.