Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka komentuar miratimin e Rezolutës në Kuvendin e Kosovës për rritjen e pagës minimale në 250 euro.
Ajdini tha se kërkesa e BSPK-së për ngritjen e pagës minimale ka qenë e kahershme.
“Me 28 dhjetor në vitin 2017, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Social të gjithë partnerët tanë duke marrë për bazë edhe Odën Ekonomike, Qeverinë, sindikatat dhe pjesëmarrësit e tjerë është propozuar dhe është votuar unanimisht që paga minimale të jetë 250 për vitin 2018, dhe kjo ka vlejtur për atë vit. Ne kërkojmë që paga minimale për vitin 2019 të jetë 300 euro, për shkak se është ngritur shporta e konsumatorit, për atë arsye nuk pajtohemi me këtë ngritje të pagës”, tha Ajdini.
Ai tha se nuk do t’i ndalin kërkesat e tyre për ngritjen e pagës minimale.
“Duke marrë për bazë analizat që bëhen nga shporta e qytetarit, paga minimale duhet të jetë 300 euro”.
Kuvendi i Kosovë ka miratuar Rezolutën e iniciuar nga PSD-ja, për ngritjen e pagës minimale nga 170 euro në 250 euro.
PSD-ja këtë kërkesë e kishte nisur edhe më parë përmes një peticioni online për rritjen e pagës minimale.
Kujtojmë, se në kuadër të rritjes së pagës minimale, do të rriten edhe pensionet për veteranët, nga 170 në 250 euro.