Pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do të shkojë në takim me presidenten Vjosa Osmani për të elaboruar në detaje propozimin e LDK-së për dalje nga kriza politike.
“Është lajm i mirë që partitë politike po ulen së bashkë me presidenten për të biseduar rreth daljes së krizës politike. Kryetari i LDK-së do të shkojë edhe njëherë dhe do të shpalosë idenë me detaje të tjera me shansen për ta argumentuar idenë që pse është kjo më e mira…një qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte më mirë për situatën ku gjendemi”, ka thënë ajo para mediave.
Duke komentuar deklaratat e deputetes së LDK-së, Serbeze Kabashi-Muçaj, Bajrami theksoi se partia asnjëherë nuk ka ushtruar presion mbi deputetët.
“Asnjëherë s’kemi kërkuar garanci apo trysni s’kemi kërkuar që të votohet në formë të caktuar. Thjesht ka qenë qëndrim i partisë i përkrahur nga të gjithë deputetët. Mënyra se si është interpretu…deputetja e ka sqaru se cka ka dasht me thënë”, ka thënë Bajrami.