Fjalë Kyçe

Kryetari i Rahovecit: Të mbijetuarit priten të kthehen sot ose nesër në Kosovë

Kryetari i Rahovecit: Të mbijetuarit priten të kthehen sot ose nesër në Kosovë

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se gjendja e të lënduarve nga aksidenti i djeshëm në Slavonski Brod është duke u përmirësuar.

“Gjendja e tyre është duke u përmirësuar, 26 pacientë janë liruar sot, ndërsa edhe 13 ose 15 të tjerë që kanë mbetur, gjendja e tyre është stabile dhe priten të lirohen së shpejti”.

Tutje Latifi i falënderoi mjekët kroatë për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të lënduarit, njofton Klankosova.tv.

“Është një angazhim dhe përkushtim i mjekëve kroatë dhe një shërbim i pashembullt do të thoja, ka qenë një kujdes i shtuar i mjekëve të spitalit Slavonski Brod”, ka thënë Latifi në Info Magazine.

Ai tha gjithashtu se ka biseduar me Ministrin Xhelal Sveçla dhe Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia rreth kthimit të mbijetuarve dhe trupave të pajetë.

“Jam takuar me Ministrin Sveçla dhe Vitia dhe jemi duke biseduar për t’i kthyer viktimat, pjesa më e madhe e të mbijetuarve do të kthehen në Kosovë, ndoshta do të ketë prej tyre që kanë lëndime më të larta që do kthehen në Gjermani për shkak të sigurimit shëndetësor”.

“Pjesa më e madhe e të mbijetuarve do të kthehen në mënyrë të organizuar në Kosovë, për kohën se kur nuk e di saktë, ndoshta sot ose nesër, kurse për viktimat jemi duke shikuar një mënyrë për t’i rikthyer sa më shpejtë”.