Biznesmeni kosovar, Imer Shahini, i cili u arrestua të martën nga Policia e Kosovës në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikon të dënohet me 65 vjet burgim.
Shahini, i cili është miku i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, është arrestuar të martën në Fushë Kosovë nën akuzat se ka kryer mashtrime milionëshe.
Burime të Insajderit brenda autoriteteve shtetërore të drejtësisë kanë konfirmuar se Imer Shahini pritet të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Shahini është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Manhatanit, thuhet, në mes të tjerash, se ai duhet të dënohet, nëse gjendet fajtor, me një dënim të përgjithshëm prej 65 vjet burg dhe 6 milionë dollarë.
Skema e mashtrimit në të cilën ishte përfshirë Shahini, parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.
Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, “Shahini Accounts”, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre.
Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova” duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.
Imer Shahini, i cili është kunati i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, prej disa vitesh është kthyer në vendlindjen e tij dhe banon në Prishtinë.
Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë “Dorian & Pan Illyrian Partnership”. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis.
Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës(ARBK), kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës.