Fjalë Kyçe

Kundërshtohet shtrenjtimi i makiatos në kryeqytet

Kundërshtohet shtrenjtimi i makiatos në kryeqytet

Kosovarët njihen si konsumues të mëdhenj të kafesë. Të rinjtë kosovarë zakonisht parapëlqejnë konsumimin e kafes në lokalet dhe baret e shumta nëpër Kosovë edhe për shkak të çmimit më të ulët. Por në kryeqytet një praktikë e tillë ka ndryshuar, nga dita e djeshme 6 qershor, lokalet dhe baret në rrugën e frekuentuar “Rexhep Luci” përgjatë sheshit qendror të Prishtinës, përnjëherë kanë shtrenjtuar çmimin e kafes. Këtë shtrenjtim e kanë kundërshtuar Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Kosova ishte shpallur edhe si shteti me “Makiatot më të mira” në botë sipas Yahoo Travel, duke e cilësuar si “Makiato Perfekte” makiaton e bareve dhe lokaleve kosovare.

Duket se këtë epitet kafenetë në Prishtinë e kanë shfrytëzuar gjatë viteve për të shtrenjtuar çmimin e kafes.

Kështu së fundmi në Prishtinë, më saktësisht në rrugën e frekuentuar “Rexhep Luci” që njihet për baret dhe lokalet e shumta, makiato e vogël nga 0.70 cent çmimi është ngritur në 1 euro. Ky çmim i ngritur ishte edhe sot me datë 7 qershor.

Gazeta Express ka kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës të cilët përmes një komunikate janë shprehur se kanë pasur një takim ditën e sotme me Shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës dhe Odën Ekonomike të Kosovës ku janë shprehur se nuk përkrahin asnjë marrëveshje që bie ndesh me Ligjin e Konkurrencës, përkatësisht çfarëdo forme të koordinuar të rritjes së çmimeve.

“Shoqata e Gastronomve të Prishtinës nuk perkrah veprimet qe bien ndesh me rregullat e Konkurrencës Pas informimit nga mediat dhe pas një takimi me Autoritetin e Konkurrences dhe Odën Ekonomike të Kosovës, Shoqata e Gastronomve të Prishtinës , shpreh qëndrimin e anëtareve të vet për respektim të dispozitave ligjore që rregullojnë konkurrencën dhe tregun e lirë” thuhet në reagim.

Kjo rritje e koordinuar e çmimeve sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës përbën shkelje të ligjit.

Ligji për mbrojtjen e konkurrencës mbi “Marrëveshjet e Ndaluara” thotë se ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që:

“Caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë detaje për veprimet e mëtutjeshme që mund të ndërmarrin ndaj këtyre lokaleve sa i përket shtrenjtimit të çmimit të kafesë.