Fjalë Kyçe

Kuptohet se kur do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

Kuptohet se kur do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë

Zyra për informim e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar në lidhje me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Podujevës, komunë kjo e cila ka mbetur pa kryetar pas emërimit të Agim Veliut, ministër i Punëve të Brendshme.

Siç kanë bërë të ditur nga zyra e Presidentit për Gazetën Sinjali, ende nuk është pranuar asnjë njoftim zyrtar për dorëheqjen e ish-kryetarit Veliu, mirëpo me rastin e dorëheqjes së tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme shpallen jo më vonë se 10 ditë pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës, ndërsa ato duhet të mbahen nga 30 deri 45 ditë pas dorëheqjes së kryetarit.

“Ende nuk kemi pranuar asnjë njoftim zyrtar për dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Podujevës, siç është bërë në të kaluarën nga ana e MAPL-së. Siç është përcaktuar në legjislacionin në fuqi, mandati i Kryetarit të Komunës, i cili ndërpritet me dorëheqje, zëvendësohet përmes mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në atë komunë. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për Kryetar të Komunës së Podujevës duhet të shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas dorëheqjes së Kryetarit të Komunës dhe se ato duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas dorëheqjes së kryetarit. Nesër do ta bëjnë betimin anëtarët e rinj të KQZ-së dhe pas kompletimit të këtij institucioni, sapo ta pranojmë njoftimin zyrtar, brenda afatit ligjor do të ndërmerren të gjithë hapat tjerë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Kujtojmë se më 3 shkurt është votuar Qeveria e re, me në krye Alib Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, u zgjedh ministër i Punëve të Brendshme, detyrë kjo të cilën e ka prnuar dje.