Fjalë Kyçe

Kur mund të pajisen kosovarët me vizë amerikane në Prishtinë?

Kur mund të pajisen kosovarët me vizë amerikane në Prishtinë?

Javën e kaluar në Prishtinë është përuruar ndërtesa e ambasadës amerikane, ndërtesë kjo më e madhja në rajon.

Në përvjetorin e 243-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik, në Prishtinë u përurua objekti i ambasadës amerikane.

Kjo ndërtesë e cila llogaritet si më e madhja në rajon, ende nuk ka filluar funksionalizimin e saj dhe deri në vjeshtë qytetarët e Kosovës përsëri duhet t’i drejtohen Shkupit për t’u pajisur me vizë amerikane.

Në një përgjigje për lajmi.net, ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se objekti i tanishëm nuk mund t’i shërbej të gjithë aplikuesve për viza mirëpo, disa persona mund të pajisen me vizë amerikane në Prishtinë.

“Për momentin Ambasada e SHBA-ve nuk ka bërë ndonjë ndryshim sa i përket vendit dhe llojit të shërbimeve për viza në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Sipas ambasadës amerikane, personat nën moshën 14-vjeçare dhe mbi 50-vjeç mund të pajisen me vizë në Kosovë.

“Fatkeqësisht, objekti jonë i tanishëm nuk mund t’i mbajë të gjithë aplikuesit, prandaj ne u shërbejmë aplikuesve në Kosovë si vijon: për viza turistike dhe vizituese për aplikuesit nën moshën 14 vjeç dhe 50 vjeç e më lartë (të gjithë aplikuesit tjerë për viza turistike duhet të vazhdojnë të aplikojnë në Shkup për momentin); aplikuesit që kërkojnë ripërtëritjen e vizës ekzistuese apo të vizës që ka skaduar brenda 48 muajve të fundit; disa lloje të vizave për punë të përkohshme; vizat sudimore dhe të shkëmbimeve; vizat diplomatike dhe zyrtare. Aplikuesit për çfarëdo lloji të vizës që janë 50 vjeç e më lartë mund të aplikojnë në Prishtinë”, ka bërë të ditur Ambasada e Amerikës për lajmi.net.

Mirëpo, të gjithë personat që aplikojnë për vizë amerikane qoftë në Shkup apo Prishtinë, ata gjatë intervistës do të njoftohen për të gjitha vendimet qoftë nëse i pranohet kërkesa për viza apo i refuzohet.

“Aplikuesit informohen për vendimin gjatë intervistës së tyre, edhe pse në disa raste nevojitet punë shtesë me shkresa, apo nevojitet kohë shtesë për përpunim administrativ”, kanë bërë të ditur nga ambasada.

Në këtë përgjigje, është theksuar se në vjeshtën e hershme do të kalohet në ndërtesën e re dhe atëherë do të njoftohen qytetarët për procedurat e reja të aplikimit për viza.

“Ne inkurajojmë aplikuesit që të përcjellin udhëzimet që gjenden në faqen e internetit të ambasadës kur të aplikojnë: https://xk.usembassy.gov/visas/. Ambasada pret të lëvizë në ndërtesën e re të saj në vjeshtën e hershme me ç’rast ne do të shpallim procedurat e reja për aplikime për viza”, ka bërë të ditur ambasada amerikane.