Fjalë Kyçe

Kurteshi akuzon Thaçin e Veselin se inskenuan sulmin mbi Kuvendin

Kurteshi akuzon Thaçin e Veselin se inskenuan sulmin mbi Kuvendin

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka folur për marshin e sotëm në nderim të Astrit Deharit me rastin e tre vjetorit të vdekjes së këtij të fundit.

Kurteshi në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se nuk ka pritur një numër kaq të madh të njerëzve në marshin për Astrit Deharin.

“Si duket ka ardhur dita që njerëzit ta shprehin mllefin e tyre që u është krijuar në këtë vite. Rasti Dehari është maja e Ajsbergut në këtë pakënaqësi”.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes thotë se edhe pas raportit zviceran ka ende persona që vënë në dyshim “vrasjen” e Astrit Deharit.

“Tani është konstatuar vrasja. Duhet të gjendet vrasësit dhe realizuesit operacional të këtij veprimi. Pra realizuesit janë ata që kanë vepruar prej momentit kur ka ngjarë sulmi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e që është sulm i inskenuar nga qarqe kriminale brenda Policisë së Kosovës me urdhër të politikanëve të Kosovës. Dhe në këtë rast po them të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit me bashkëpunimin e AKI-së dhe me ndihmën e prokurorëve të kriminalizuar bashkë me gjyqtarët e kriminalizuar, që kanë hapur rastin e tash kanë dalë në pension”.

Kurteshi ka thënë se nuk do të ketë hakmarrje për rastin e Astrit Deharit por do të ketë “drejtësi të pamëshirë”.

Duke komentuar vendimet e fundit të Gjykatës Supreme në favor të kërkesave të Vetëvendosjes, Kurteshi ka thënë kjo ka dëshmuar që “Vetëvendosje ka juristët më të mirë”.

Sipas tij PZAP kur ka rrëzuar kërkesat e Vetëvendosjes nuk ka ditur të argumentojë dhe sipas tij Supremja ka dëshmuar se ata kishin të drejtë.

“Mbi 90% të ankesave janë miratuar nga PZAP dhe Gjykata Supreme”.

Kurteshi ka thënë se karvani i koalicionit Vetëvendosje-LDK po ecën dhe se nuk marrin parasysh deklaratat e individëve./Telegrafi