Fjalë Kyçe

Kurteshi: Haradinaj është dorëhequr nga frika e rrëzimit të Qeverisë nga partnerët

Kurteshi: Haradinaj është dorëhequr nga frika e rrëzimit të Qeverisë nga partnerët

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, ka thënë se Ramush Haradinaj ka gënjyer se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale si i dyshuar.

Në një postim në Facebook, Kurteshi këtë e ka quajtur “rrenë të kulluar, kalkulim perfid e mashtrues politik”.

Ai ka thënë se nëse Haradinaj është i dyshuar, kthimi në postin e dorëhequr tregon “pangopshmërinë për zhvatje të buxhetit”.

“Nëse është i dyshuar, ai ka mbetur i dyshuar. Aq më shumë nëse gjykata apo prokuroria nuk e ka përfunduar punën për shkak tē ‘heshtjes’ së këshilluar. Rreziku për ta ftuar sërish, si ‘i dyshuar’, madje edhe si të akuzuar, mbetet aktual dhe i pashmangshëm. Prandaj kthimi në postin e dorëhequr pas kësaj loje mashtruese, është vetëm pangopshmëri me zhvatje të buxhetit të shtetit”, ka shkruar Kurteshi.

Sipas Kurteshit, Haradinaj ka gënjyer me ftesën dhe s’ka qenë i ftuar si i dyshuar. Ka thënë se Haradinaj është dorëhequr nga frika e rrëzimit të Qeverisë nga partnerët.

“Një ftesë, nëse ka ekzistuar një e tillë, ajo nuk ka qenë si i dyshuar. Ai as e ka bërë dhe as nuk do ta bëjë kurrë transparente çështjen e ftesës. Pse? Sepse në të vërtetë frika e rrëzimit të qeverisë nga vetë partnerët e koalicionit, që janë bashkuar me qëllim zhvatjeje, mashtrimi, korrupcioni, hajnie e krimi të organizuar institucional dhe në thelb ka tradhëtinë dhe mashtrimin, është arsyeja e dorëheqjes nga pozita e Kryeministrit dhe jo ftesa nga Haga. RRENË ME BRIRË!” ka shtuar më tej ai.