Fjalë Kyçe

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kurti: 200 milionë euro investime për infrastrukturën në futboll

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka premtuar 200 milionë euro investime për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit në vend.

Tashmë është duke u rinovuar fusha e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ si dhe është duke u punuar në rinovimin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

I pari i qeverisë së Kosovës, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka premtuar investime edhe në stadiumet tjera të futbollit.

Ky është postimi i kryeministrit Kurti:

“200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit. Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli. Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.

Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.

Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.

Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.

Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta.