Fjalë Kyçe

Kurti për gjendjen e rëndë me COVID-19: Vepruam sipas rekomandimeve të IKSHPK-së

Kurti për gjendjen e rëndë me COVID-19: Vepruam sipas rekomandimeve të IKSHPK-së

Gjatë muajit gusht, në Kosovë filluan të rriten rastet pozitive me COVID-19 dukshëm e ashtu edhe ato të vdekjeve. Shkak po vlerësohet të jetë hapja e gastronomisë, ardhja e mërgimtarëve dhe zbutja e masave anti-COVID në përgjithësi, që përfshinte edhe lejimin e dasmave e klubeve të natës.

Pavarësisht se rreziku për një valë të tretë pritej, gjatë muajve qershor, korrik e fillimin e gushtit nuk u morën masa të reja kufizuese, përveç që u liruan.

Arsyetimi i Qeverisë së Kosovës është se po të merrnin masa ekstreme të kufizimit atëherë, do të ishte “tej reagim”. Kryeministri Albin Kurti përmes një videoje në Facebook është shprehur se gjendja ka ndryshuar befasishëm, e se në secilën situatë, shtoi ai, ka vepruar bazuan në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Sot mund të duket sikur mund të bënim më shumë gjatë muajve qershor dhe korrik, por gjendja atëherë ishte krejt ndryshe. Por të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët, do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së dhe me situatën në terren ku numër i rasteve të reja ishte shumë i ulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se morën masa dhe po veprohet në kohë reale, ndërsa ka marrë shembull rritjen e frikshme të numrit të të vdekurve nga koronavirusit në pak ditë.

“Për shembull më 8 gusht nuk kishim asnjë të vdekur, më 13 gusht vetëm një të vdekur, kurse më 28 gusht, pra 15 ditë më vonë, 36 të vdekur. Rritja ishte e befasishme, e paparashikuar. Ekspertët e prisnin një valë të variantit delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë”, shtoi Kurti.