Fjalë Kyçe

Kurti: Çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët

Kurti: Çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët

Albin Kurti vizitën e parë si kryeministër e bëri në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai, i shoqëruar nga presidenti në detyrë Glauk Konjufca dhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, tha se secila pozitë e rëndësishme shtetërore duhet të themelohet mbi kthimin te Jasharët në Prekaz, njofton Klan Kosova.

“Pas pranimit të detyrës si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës si rezultat i votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Republikës mbajtëm mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë të kabinetit tonë të ri dhe menjëherë erdha këtu në Prekazin heroik e historik bashkë me presidentin në detyrë dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca dhe me kryetarin e Komunës së Skenderajt dhe djalin e heroit Hamëz Jashari, Bekim Jashari”.

“Vendosëm kurora me lule të freskëta te varri i Adem dhe Hamëz Jashari dhe bëmë homazhe te 59 të rënët në Epopenë e UÇK-së më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 të këtyre tre brezave të cilët u flijuan për çlirim e liri, pavarësi e bashkim”.

“Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët dhe te Prekazi, ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare. Lavdi gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit falë të të cilëve ne sot jemi edhe të gjallë dhe gëzojmë lirinë që kemi”.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se Glauk Konjufcës e Albin Kurtit i ka uruar suksese në detyrat e reja.