Fjalë Kyçe

Kurti e Krasniqi pajtohen se si të shkojnë në zgjedhje, Abdixhiku e Haradinaj duan dorëheqjen e Qeverisë

Kurti e Krasniqi pajtohen se si të shkojnë në zgjedhje, Abdixhiku e Haradinaj duan dorëheqjen e Qeverisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj duan zgjedhje, por për këtë kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë. Ligji përcakton edhe dy opsione tjera për të shkuar para kohe në zgjedhje. Për njërin, kryeministri dhe kryetari i PDK-së pajtohen. Mbrëmë në një darkë mes tyre u diskutua edhe për afatet e mundshme të zgjedhjeve të reja: Memli Krasniqi i do në “javët e ardhshme”, Albin Kuri përmendi “pranverën ose vjeshtën”.

Të gjithë po duan zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkohë që ka të paktën disa javë që vërehet angazhimi i shtuar i partive politike për t’u mobilizuar për këtë.

“Diskutime të mira nga pozicione jo domosdoshmërisht të njëjta”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi se pati mbrëmë në një darkë me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi u thirr “për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legislative për sesionin pranveror”, siç u tha në ftesën e Kurtit, por Krasniqi u ul përballë për të disktuaur specifikisht për “mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, refuzuan të merrnin pjesë.

Krasniqi tha pas takimit se “Kosova është në agoni” dhe përmendi se “kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”. Kështu, ai tha se Kurtit i kërkoi përshpejtim për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

“Andaj ia shpreha edhe kryeministrit Kurti që konsideroj se duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave. Partia Demokratike e Kosovës tashmë e ka nominuar edhe kandidatin e vetë për kryeministër të Kosovës, zotin Bedri Hamza, që konsiderojmë që është kandidati më i duhur për t’iu dhënë zgjidhje dhe përgjigjje këtyre probleme. Por për të arritur deri këtu, një gjë është e domosdoshme, e ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ai para gazetarëve.

Krasniqi kërkoi që “të bëhemi bashkë për të shkuar në zgjedhje bashkë, sepse në fund të fundit zgjedhjet duhet të jenë një qëndrim politik i përgjithshëm”. Tha se PDK-ja është e gatshme për “një dakordësim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës përmes një mocioni të përbashkët”.

“Unë kam punuar për këtë çështje, pa dëshiruar që ta marrë flamurin e protagonizmit, sepse e konsideroj më të rëndësishme që ta arrijmë këtë moment, se zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri pikërisht për t’iu dhënë përgjigje me një qeveri të re këtyre çështjeve të cilat i ngrita. Andaj, këto ishin edhe thelbi i diskutimeve që i pata sot, e për të cilat unë besoj që duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar hapat në ditët në vijim, shpresoj unë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se “zgjedhjet janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri”, ndërsa shtoi se diskutimet me Kurtin për këtë “duhet të kemi hapësirë për t’i konkretizuar me hapat në ditët në vijim”.

“Unë shpresoj shumë se edhe kolegët nga partitë tjera opozitare do të pajtohen për këtë gjë”, tha Krasniqi, duke përmendur “jofunksionalitetin e Kuvendit”.

“Kryeministri e përfaqëson një parti. Partitë tjera s’ishin sonte këtu. Është e drejtë e tyre. Unë shpresoj që do të ketë takime. Unë kam pasë takime me të gjithë. Por nuk do të flasë për të tjerët. Unë besoj që ka hapsirë dhe unë besoj që ka vullnet, që mund të arrijmë bashkërisht me qëllimin e vetëm që të ketë një restart, të ketë një rifillim, të ketë një ridimensionim të ri të qeverisjes. Unë konsideroj që qeverisja deri këtu nuk ka qenë ajo e duhura. Qytetarët kanë pritur më shumë, më mirë”, tha kryetari i PDK-së.

Ai tha se “duhet një qeveri e re” dhe “për me e bë një qeveri të re, duhen zgjedhje të reja”. Për zgjedhjet e reja, Krasniqi tha se është i interesuar “të diskutojë me secilin”.

“Unë besoj që ditët në vijim qartësojmë shumë gjëra”, tha Krasniqi.

Pas tij para gazetarëve u ndal Kurti, i cili tha se folën “edhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt”. Fillimisht, ai përmendi se janë “13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar” dhe për të cilat nevojiten votat e 2/3 të deputetëve.

Kryetari i LVV-së tha se zgjedhjet janë “çështje të muajve”, ndërsa shprehu interesimin për të diskutuar edhe me partitë tjera opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”.

“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka. Por njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi edhe me dy parti, mbase edhe me tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe dhjetë muaj, tetë apo gjashtë muaj, apo tre muaj. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë, të jemi sa më gjithëpërfshirës për muajin, datën e zgjedhjeve, e më pas debatin ta bëjmë politik e ideologjik për katër vitet e ardhshme”, tha Kurti.

Diskutimi me Krasniqin për zgjedhjet, Kurti tha se është i interesuar “të vazhdojë edhe me të tjerët”, ndërsa përmendi marrëveshjet ndërkombëtare të pamiratuara në Kuvend dhe situatën e përgjithshme politike të shtetit, për të cilat tha se duhet “të diskutohet më shtruar, më gjatë e me gjithëpërfshirje sa më të madhe”.

“Unë i kam ftuar që të gjitha partitë sonte. E falënderoj udhëheqjen e PDK-së që është përgjigjur pozitivisht. Unë do të insistoj që të takohem edhe me të tjerët. Nuk është synimi im ta përjashtojë askënd dhe besoj që marrëveshjet ndërkombëtare që kanë nevojë për 80 vota, e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin”, tha Kurti.

Kur? Krasniqi do zgjedhje “në disa javët e ardhshme”, Kurti në pranverë ose vjeshtë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi propozoi data të zgjedhjeve edhe në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti.

“Datat i kam propozuar edhe më herët. Më vjen keq që data e 9 qershorit tashmë është jashtë kornizës kohore kushtetuese, sepse ka qenë vërtetë datë e mirë e momentum simbolik i mirë, meqenëse në të njëjtën ditë mbahen edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian”, tha Krasniqi. “Unë besoj që ka ende data të cilat janë në disa javët e ardhshme, që janë brenda kësaj kornize kohore, ku shpresoj shumë që do të kemi dakordësim edhe me partitë tjera parlamentare opozitare dhe ato të pozitës, në këtë rast me kryeministrin. Kjo është shpresa ime dhe unë do të mundohem që ta arrijmë këtë”.

Krasniqi tha se pas seancës parlamentare të kësaj të enjteje, shpreson se e radhës do të jetë për mocionin për shpërndarjen e Kuvendit.

“A do të ndodhë? Shohim ditëve në vijim. S’dua ta paragjykoj”, tha ai. “Unë preferoj që ta bëjmë bashkë si Kuvend. Mos të ndodhë askush me u ndje i lënë anash”.

Sipas tij, “është e domosdoshme që kjo të bëhet brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj, nuk ka më kuptim”.

“Në momentin që kalojmë pastaj në faza të mëvonshme, nuk mendoj që duhet.. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë që është 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta, 3 muaj, 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, ndërkaq, tha se edhe po ta kishte mundësinë ta përcaktonte vetë datën e zgjedhjeve, nuk do ta bënte.

“Edhe unë jam i interesuar që ta diskutojë me PDK-në, me LDK-në, me AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta. Kjo s’do të thotë që s’do të mund të mbahen edhe në dimër e në verë, por më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund, i bie që zgjedhjet e radhës do të jenë diku në dimër, andaj le ta diskutojmë a është më mirë t’i mbajmë në pranverë ose vjeshtë”, tha Kurti.

Ai tha se nuk do ta imponojë vullnetin e tij “për shkak që kjo është çështje për të cilën nuk do të duhej që të bënim debat”. “Le ta bëjmë debatin në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar se kur do të jenë zgjedhjet”, tha ai.

Kurti tha se duhet të flasë me të gjitha subjektet politike “dhe ta shohim se cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti”. “Unë do të isha dakord”, tha Kurti.

Opsionet – shpërndarja e Kuvendit, më i mundshmi

Janë tri opsione për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentari: mocioni i mosbesimit, dorëheqja e Qeverisë dhe shpërndarja e Kuvendit.

LDK-ja dhe AAK-ja e duan opsionin e dytë, i cili duket i pamundur, po aq sa i pari, meqenëse opozita s’i ka votat e mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë.

“Le ta japë qartë, zëshëm, nëse është dorëzu, e duket se është dorëzu, le të japë dorëheqje. Pra, nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Por le të ia shpjegojë popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, pati thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në mars në Pressing, pasi Kurti u shpreh i hapur për zgjedhje të reja.

“Nëse është dorëzu, le të japë dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë, të thotë më rrëzuan”, pati deklaruar Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se Kurti “po e kërkon shpëtimin e vet” përmes nismës për shpërndarjen e Kuvendit.

“Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, shkroi Haradinaj mbrëmë në Facebook.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, shtoi ai.

Sipas ligjit, për shpërndarjen e Kuvendit duhen 2/3 e votave, rrjedhimisht një pajtim i shumicës dërmuese të partive politike parlamentare.

Nëse shpërndahet Kuvendi, Presidentja Vjosa Osmani duhet ta shpallë datën e re të zgjedhjeve brenda10 ditësh. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

Osmani para pak muajsh e pati shprehur gatishmërinë që të diskutojë me partitë politike për zgjedhjet, në qoftë se ato pajtohen për këtë.

“Tani nuk ndërhyj në proceset e tilla. Megjithatë, në qoftë se ka kërkesa nga partitë politike, dhe këtu po flas edhe nga mazhoranca, edhe nga opozita që t’i mbledhi të gjithë në mënyrë që të diskutohet një datë më e re, natyrisht që këtë e bëj, mirëpo nuk është asnjëherë punë e presidentes që të imponojë datë më të hershme sesa ajo që është e paraparë me Kushtetutë në proceset e rregullta”, pati thënë ajo.

Nëse nuk do të ecet me ndonjërin prej këtyre tri opsioneve, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në fillim të vitit 2025.