Fjalë Kyçe

Kurti: E njoh shtetin e Kosovës, por nuk jam në mesin e atyre që thonë “Bac u kry”

Kurti: E njoh shtetin e Kosovës, por nuk jam në mesin e atyre që thonë “Bac u kry”

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti iu është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve Live në Facebook të organizuar nga KDI.

Qytetarët e kanë pyetur Kurtin për flamurin e Kosovës, se kur do ta njeh ai pavarësinë e Kosovës, për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe shumë tema tjera.

Sa i përket flamurit Kurti ka thënë se “Nuk mund ta gjeni asnjë deputet apo aktivistë të Vetëvendosjes që e ka hequr flamurin e Kosovës.”

Kurti tha se e ka pranuar dhe e njeh Pavarësinë e Kosovës.

“E njoh shtetin e Kosovës. Por, të gjithë politikanët e dinë që ta shpallësh Pavarësinë e ta bësh shtetin, nuk janë e njëjta gjë. Kanë mbetur shumë punë për të bërë. Unë nuk jam në mesin e atyre që thonë ‘Bac u kry” por tendenca është të shpallet fundi i historisë. Është bërë një hap me shpalljen por nëse nuk i bëjmë edhe shumë hapa të tjerë, ky shtet do të ngelet veçse në letër”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga një qytetar për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Kurti thotë se të drejtat e komuniteteve në të dyja vendet duhet të jenë reciproke.

“Ne mendojë se të drejtat që i kanë serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi duhet të kenë pasqyrim të njëjtë. Nuk mund të ketë paqe, stabilitet dhe siguri nëse nuk ka një lloj reciprociteti mes të drejtave të komuniteteve anë e mbanë kufijve. Shqiptarët që janë në Veri të Ibrit janë ata që janë më të rrezikuarit dhe mendoj se atyre duhet t’u ndihmojmë.”, tha ai.