Fjalë Kyçe

Kurti i kundërpërgjigjet Vjosa Osmanit

Kurti i kundërpërgjigjet Vjosa Osmanit

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se deklarata e tij për “kthimin e Elez Blakajt si kryeprokuror” në Kosovë, është keqkuptuar.

Kurti ka thënë sot se kurrë nuk ka thënë se do ta bëjë ish-prokurorin special, Elez Blakaj, kryeprokuror të ardhshëm të Kosovës. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se ai e ka përmendur emrin e Blakajt në formë të simbolit.

“Unë kam folur kundër-korrupsionit në një tubim në Llap dje. Në këtë rast kam thënë se duhet ta kthejmë Elez Blakajn, si simbol. E kam thënë sepse Elez Blakaj është emër i traumës. Si simbol është tejet i rëndësishëm që ta kthejmë në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, reagoi dje kundër deklaratës së Kurtit për Elez Blakajn

“Për mua është e pakonceptueshme se si sot ka liderë politikë dhe kandidatë për kryeministër të cilët thonë se unë kam vendosë që filan fistekin ta bëjë prokuror. Kjo leje që është jokushtetuese por është edhe e rrezikshme”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, nuk ka të drejtë asnjë kryeministër të vendosë se kush të bëhet kryeprokuror.