Fjalë Kyçe

Kurti kishte premtuar ndërtimin e aksit rrugor Gjakovë-Shkodër, nuk përfshihet në Programin e Qeverisë 2021-2025

Kurti kishte premtuar ndërtimin e aksit rrugor Gjakovë-Shkodër, nuk përfshihet në Programin e Qeverisë 2021-2025

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mandatit të parë në krye të Qeverisë kishte premtuar se do ta ndërtojë aksin rrugor Gjakovë-Shkodër.

Mirëpo, në Programin e ri Qeverisës për periudhën 2021-2025 nuk është paraparë ndërtimi i kësaj rruge.

“Infrastruktura jonë duhet të jetë e plotë dhe funksionale. Ajo nuk duhet të jetë në shërbim të shteteve tjera si rrugë tranzit për të dalë në një shtet tjetër, por duhet të jetë e integruar me ekonominë tonë. Projektet infrastrukturore do të hapin rrugë të reja, jo autostrada të mbyllura, që do të na lidhin kësisoj edhe më shumë. Do ta shpëtojmë fshatin nga emigrimi dhe do ta zhvillojmë atë duke e lidhur me ekonominë nacionale. Do të ndërtojmë aksin rrugor Prizren-Tetovë dhe atë Gjakovë-Shkodër, si dhe funksionalizimin e plotë të sistemit hekurudhor brenda Kosovës”, kishte theksuar Kurti, gjatë fjalimit të tij për prioritetet qeveritare, përcjell Telegrafi.

Sa i përket infrastrukturës, Qeveria në programin e ri zotohet se do të angazhohet për krijimin e sistemit të integruar për transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, në funksion të zhvillim ekonomik.

“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë”, thuhet në planin e Qeverisë.

Më tej, Qeveria thotë se, “vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës”.