Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pritur sot në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx.
Kryeministri Kurti falënderoi z.Bouyx për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.
“Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë”, tha kryeministri Kurti gjatë takimit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij.