Fjalë Kyçe

Kurti-Krasniqit e Abdixhikut: Po flisni si aktivistë të dorëhequr të Vetëvendosjes

Kurti-Krasniqit e Abdixhikut: Po flisni si aktivistë të dorëhequr të Vetëvendosjes

Kurti-Krasniqit e Abdixhikut: Po flisni si aktivistë të dorëhequr të Vetëvendosjes
Kryeministri Albin Kurti, në përgjigjen e tij ndaj kritikave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ata po i duken si aktivistë të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deputeti Krasniqi e deputeti Abdixhiku po flasin si me qenë aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje, për besë nuk di si ta shpjegoj ndryshe këtë diskurs, pra sikur të ishin aktivistë të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje e janë të pakënaqur me kryetarin, po më duket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, por ky është Kuvendi i Kosovës e ju jeni PDK e LDK”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se po i kujtohet deklarata ministrit të jashtëm nga radhët e LDK-së, Skënder Hyseni, i cili ka thënë se “deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje në LDK”.

Ai u ka thënë atyre të prezantojnë vizion e ide. “Opozitarizmi bëhet o me kritikë racionale o me zemërim revolucionar e jo pa asnjërën”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij nga koha kur serbët me zell po i nënshkruanin marrëveshjet, ai e ka sjellë dialogun në një pikë, kur ata refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me shumë zell i patën nënshkruar Vuçiqi e Daçiqi, ata tash po ikin prej nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bazë a dikur vraponin për të nënshkruar me ju. Pra nga vrapimi për të nënshkruar me juve, kemi ardhur në fazën ku ikin prej meje sepse nuk duan të nënshkruajnë”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se pika 10 e Marrëveshjes bazë u referohet 39 marrëveshjeve të mëhershme. “Aty e gjeni asociacionin apo zajednicën e 2013-2015. Aty thuhet se s’duhet të zbatohen marrëveshjet valide. Në nenin 10 pra përmenden të gjitha marrëveshjet. Më 2015 është bërë MSA dhe thuhet se Kosova duhet të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura. Nuk është e vërtetë qw nuk ka dokument evropian që thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet. 39 marrëveshje janë realizuar gjithsej pse nuk ishte njohja reciproke në asnjërën prej tyre. Nëse keni dialoguar mirë si u bë që asnjëra asnjëherë se pati njohjen reciproke. Më 2019 ish-presidenti Donald Trump kërkoi njohje reciproke pse nuk e bëtë. Këtu u tha vetëmenaxhimi është vetëvendosje nuk është e vërtetë. Përveç që s’është as vetëvendosje, nuk është as vetëqeverisje”, ka theksuar Kurti.

Kurti: Kolegët që e njohin Abdixhikun e dinë se çfarë bën ai para pasqyrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili citoi një pjesë të fjalimit të ish-deputetit, tanimë të ndjerë, Adem Mikullovcit.

“ Deputeti Abdixhiku citoi Mikullovcin tek e ka cituar Shkrelin. Nuk është thënë të citohet vetëm dikush që citon Shkrelin por duhet edhe ta lexosh Shkrelin”, ka thënë ai. “Ti e bëre pyetjen se si do të veproja po ta shihja veten sy më sy a do ta puthja apo kisha për ta pështy, unë se bëj asnjërën por kolegët e mi që e njohin Abdixhikun më mirë se unë po thonë se e dinë mirë se çfarë bën ky para pasqyrës”.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë se Kurti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha parimet që ka pasur.

“Kryeministër ne nuk bëmë hajgare me ty sepse ke bërë hajgare me veten. Në ekip e ke njërin prej ekspertëve më të mirë, Marc Weller dhe pyete çka do të thotë vetëvendosja dhe të tregon. Unë në VV nuk kam qenë kanë kurrë shyqyr prej Zotit dhe nuk kam pasur si të dorëhiqem, dorëheqje ke dhënë ti prej vetëvendosjes dhe krejt parimeve që ke pasur”, ka thënë ai.

Abdixhiku: Ka vdekur koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se kur “shikohet në pasqyrë nuk e ka barrën e njerëzve që kanë vdekur për kauzën time politike”.

“Se kam marrën që kanë vdekur njerëz për kauzën time politike, se kam barrën që e kam djegur një Kosovë të tërë për një kauzë që e kam shkelur sot. Se kam barrën që i kam quajtur njerëzit tradhtar e ua kam rrezikuar jetën. Se kam barrën që i kam ngrënë të gjitha qershitë një nga një Se kam barrën që e kam rrezikuar të ardhmen e vendit tim për shumë vjet. Jam i qetë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se po e shijon se si Kurti po “ballafaqohet me të kaluarën e vet”.

“Ti duhet të ballafaqosh veten me të kaluarën tënde është brengë e jotja dhe unë të them drejtën po e shijoj çdo sekondë të kësaj, si e ballafaqon kauzën tënde e këtë përfundim të padinjitetshëm të pozicionit politik”, tha Abdixhiku.

Ai ka thënë se “vetëmenaxhimi nënkupton vetëmenaxhim sipas instrumenteve të BE-së, që është karta e vetëqeverisjes lokale e që i bie autonomi”.

“Statusi politik i Kishës ortodokse Serbe është status politik. Këto janë brengat i nderuar Albin Kurti, jo ofendimet që bën t’i rreth meje, ato s’kanë rëndësi. Koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK ka vdekur. Brengosu pak për rrethin tënd në Vetëvendosje çfarë po mendon ai. Ndoshta të përsëriten prapë zgjedhjet lokale, e ato 9 komuna që i kemi me të cilat të përshëndesim”, tha Abdixhiku.

Kurti-Abdixhikut: LDK-në e ka marrë lumi, LDK-në e ka marrë Vjosa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kreut të PDK-së, Memli Krasniqi dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Krasniqit ai i tha se para se të niset në Ohër kishte biseduar me Marc Wellerin e po ashtu edhe duke u kthyer nga Ohëri.

“Marc Welleri pajtohet plotësisht me krejt çfarë kam thënë e kam bërë. Këtë merak ta hoqa deputeti Krasniqi. Ai pajtohet edhe me përkufizimet që i përmenda këtu. Tash deputeti Abdixhiku citati i Azem Shkrelit kaloi në citatin e deputetes Ganimete Musliu. S’është mirë se e drejta e autorit duhet të respektohet. Për mua është e qartë, se ka dy vjet që LDK-në e ka marrë lumi, LDK-në e ka marrë Vjosa, LDK-në e ka marrë lumi Vjosa”, ka thënë Kurti në Kuvend.