Fjalë Kyçe

Kurti kujton masakrën e Studimes, thotë se duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë

Kurti kujton masakrën e Studimes, thotë se duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar 116 kosovarët e vrarë më 2 maj të vitit 1999 nga forcat serbe në Studime të Vushtrrisë.

Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se edhe pas 20 viteve më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit, shkruan Gazeta Alo.

Sipas tij, nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë.

Postimi i Kurtit në Facebook:

Bastisje, plaçkitje, ekzekutim. 116 shqiptarë vriten për dy orë. Çdo minut dikush vdiste në Studime të Vushtrrisë më 2 maj 1999. Burra e gra, pleq e fëmijë. Nga Azemine Vërsheci, 71 vjeçare, e Bejtë Ferizi, 84 vjeçar, deri te Mexhit S. Gërgjaliu, 11 vjeç.

Operacioni i madh “Patkoi” me të cilin Kosova po spastrohej nga shqiptarët, përbëhej nga shumë ‘patkojë’ të vegjël, e një i tillë ishte edhe ky në Vushtrri. Fshatrat viheshin nën rrethim, njerëzit dëboheshin nga shtëpitë e tyre, ua merrnin gjësendet me vlerë, sidomos paratë e kursimeve dhe arin e nuseve, dhe i drejtonin për Shqipëri, për t’ua prerë rrugën pas pak eskadronet policore dhe militare që i pushkatonin këta refugjatë.

20 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat, nuk ka dënim për kriminelët, nuk ka as prehje e kompensim për familjarët e mbetur, nuk ka as pendesë e kërkimfalje nga pushteti në Beograd ku mbeten të njëjtit.

Sigurisht që nuk duhet të ketë paragjykime për serbët, por sigurisht që duhet të ketë gjykime për kriminelët serbë. Që plagët e të mbijetuarve të shërohen, që brezit të ardhshëm të mos i bartet trauma, që ardhmëria të jetë e sigurt për të gjithë./Gazeta Alo/