Fjalë Kyçe

Kurti: Në Mitrovicë u pagua çmimi i lirisë edhe pas çlirimit

Kurti: Në Mitrovicë u pagua çmimi i lirisë edhe pas çlirimit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe struktura politike, familjarë të viktimave, si dhe shumë qytetarë, kanë kujtuar sot gjatë një akademie përkujtimore në Mitrovicë, tmerrin e natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të këtij qyteti, me ç’rast grupe të armatosura serbe kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25, ndërsa dëbuar me dhunë nga pronat e tyre rreth 12 mijë shqiptarë të tjerë.

Kurti tha se mëngjesi i 4 shkurtit para 20 vjetëve i gjeti banorët e Mitrovicës në një gjendje lufte.

Sipas tij, shteti i Kosovës ju ka shumë borxh këtyre familjarëve të cilët paguan çmimin e lirisë edhe pas çlirimit, dhe të cilët janë njëkohësisht dëshmi e gjallë se plagët vazhdojnë të mbeten akoma të hapura.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh i bindur se shqiptarët do të kthehen në atë pjesë të qytetit në numër më të madh se sa kanë qenë më herët.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i sapoemëruar që të ndajë një fond të veçantë për ndërtimin e shtëpive në veri.

Në anën tjetër, kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë dhe veprimtari i shquar, Halit Barani, ka potencuar se kriminelët serbë, duke parë se shqiptarët nuk po heqin dorë nga pronat e tyre në veri, organizuan vrasje dhe përndjekje të dhunshme dhe atë në prani të forcave ndërkombëtare,

Ndryshe, në fund të akademisë përkujtimore që u organizua nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me KMLDNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, u interpretuan edhe disa pika muzikore nga kori i Shkollës së Mesme të Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.