Fjalë Kyçe

Kurti në takim me Kosnettin, biseduan për taksën

Kurti i tregon Kosnettit pse Qeveria nuk duhet të heqë dorë nga taksa ndaj Serbisë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin Besnik Bislimi, kanë takuar sot, numrin një të SHBA-së në Kosovë, ambasadorin Philip S. Kosnett.

Takimi u mbajt në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ku ishte e pranishme edhe zyrtarja politike, diplomatja Emma Lomax.

Sipas njoftimit për media të LVV-së, “takimi kaloi në një frymë shumë konstruktive dhe u diskutua për çështje që aktualisht dominojnë interesat nacionale të vendit”.

Gjithnjë sipas Vetëvendosjes, “ambasadori foli për rëndësinë që ka Kosova në politikën e jashtme të SHBA-së dhe për nevojën që pala kosovare paralelisht të kultivojë raporte shumë të mira edhe me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të cilën përbën aspiratën kryesore të Kosovës”.

“Po ashtu u shkëmbyen edhe qëndrimet e dy palëve për dialogun dhe tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për dëmet që po i shkaktohen vendit nga nepotizmi dhe korrupsioni në sektorin publik dhe për domosdoshmërinë e reformimit të administratës publike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Aty thuhet se kryetari Kurti e njoftoi më gjerësisht ambasadorin Kosnett për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me dialogun; fazat që duhen përcjellë me synim ndërtimin e një platforme dhe ekipi negociator që do të garantonte një përfaqësim serioz në dialog; për arsyet se pse qeveria nuk duhet të heqë dorë nga tarifa doganore; por edhe për vizionin e Vetëvendosjes rreth vendosjes së sundimit të ligjit e luftimit të korrupsionit, prioritizimin e gjenerimit të punësimit si synim kyç makroekonomik si dhe reformimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor si burim me rëndësi për mbështetjen e rritjes ekonomike të Kosovës.

“Në veçanti u potencua roli i diasporës sonë e cila me kapitalin human dhe financiar të akumular në Evropë dhe Amerikë mund të shndërrohet në një katalizator të fuqishëm të zhvillimit ekonomik në vend”, thuhet në njoftim.

Të dy palët, thuhet në njoftim, u dakorduan mbi nevojën e kultivimit të marrëdhënieve të rregullta si mekanizëm i rëndësishëm për avancimin e interesave të përbashkëta.