Fjalë Kyçe

Kurti për Thaçin: Para gjashtë muajve i shkrove Presidentit Trump, ende nuk more përgjigje

Kurti për Thaçin: Para gjashtë muajve i shkrove Presidentit Trump, ende nuk more përgjigje

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë bërë gjashtë muaj nga koha kur Presidenti i Kosovës i ka shkruar letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se që nga ajo kohë, Thaçi nuk ka marr asnjë përgjigje.

Ai ka pyetur përse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi mbajtjen e pozicioneve aq shumë të ofruara me Serbinë.

Postimi i plotë i Kurtit

Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani. (8 janar 2019)

Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme).

Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?

Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi.

Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar.