Fjalë Kyçe

Kurti përkujton ikonën e boksit kosovar Xhevdet Peci

Kurti përkujton ikonën e boksit kosovar Xhevdet Peci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ikonën e boksit kosovar Xhevdet Peci. Peci vdiq të hënën në moshën 67-vjeçare.

“Me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci, ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për ‘nokautimin’ e referit që i bëri padrejtësi. I fuqishëm qoftë kujtimi për Xhevdet Pecin, ashtu siç qe jeta e tij prej boksieri!” – ka shkruar Kurti në Facebook.

E kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se me vdekjen e Xhevdet Pecit, Kosova ka humbur shumë në rrugëtim profesional.

“Më tronditi thellë lajmi për vdekjen e legjendës së boksit shqiptar, Xhevdet Peci. Xhevdeti ishte një nga boksierët më të mëdhenj që ka pasur Kosova dhe i cili la gjurmë të pashlyeshme në sportin e boksit me klubin e artë Prishtina, duke u kurorëzuar pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë. Me vdekjen e tij, boksi kosovar humbi shumë në rrugëtimin profesional, ndërsa familja njeriun më të dashur. Ngushëllime familjes Peci, të afërmve dhe të gjithë komunitetit sportiv të Kosovës. Prehu në paqe, Kampion!” – ka shkruar Konjufca.