Fjalë Kyçe

Kurti: Përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, s’ka incidente në terren

Kurti: Përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, s’ka incidente në terren

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pavarësisht paralajmërimeve të Serbisë se çështja e dinarit po u shkakton vështirësi qytetarëve në veri të vendit, nuk ka incidente në terren.

Ai ka përsëritur se Qeveria do ta mbështesë planin e Bankës Qendrore të Kosovës për tranzicion, duke theksuar se kjo çështje i ka takuar dhe i takon BQK-së.

“Për anëtarësim në Këshill të Evropës na prinë Ministria e Punëve të Jashtme, për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjet pagese në Kosovë, na prin Banka Qendrore e Kosovës, ajo e ka marrë vendimin për rregulloren e re, ajo e ka bërë planin tremujor të tranzicionit me dhjetë hapa. Ne do ta mbështesim këtë plan për aq sa kërkohet ekzekutivi me dikaster e vet. Jemi në rrugë të mbarë dhe është e qartë se përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, praktikisht nuk ka incidente në terren”, ka thënë Kurti pasi ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në familjen Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë.
Kurti ka thënë se në veri po paguhet me euro dhe se nuk u ndalohen ndihmat nga Serbia qytetarëve, por se ato duhet të bëhen në euro.

“Edhe në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok e veri të Mitrovicës nëpër lokale paguhet me euro por gjithashtu edhe mos të harrojmë se janë mbi 33 mijë xhirollogari ku serbët i marrin ndihmat e tyre në valutën euro që ua jep Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne nuk jemi për t’ua ndalur ndihmat që u vijnë edhe nga Serbia por nëse ato vijnë edhe në dinarë, duhet të bëhen euro në Kosovë”, është shprehur kryeministri.

Ndërkohë, miratimin e raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, Kurti e ka quajtur lajm shumë të mirë.

“Është tejet lajm i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike dhe historike Federata Ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hyn brenda. Është një lloj mirënjohje dhe mirëkuptim i madh për qytetarët e vendit tonë të cilët po i bashkëngjiten këtij institucioni të respektuar evropian e botëror”, ka shtuar Kurti.