Fjalë Kyçe

Kurti: Prioritet i Kosovës është paditja e Serbisë për gjenocid

Kurti: Prioritet i Kosovës është paditja e Serbisë për gjenocid

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur në seancën për nder të 8 Marsit-Ditës së Gruas, kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Kurti në fjalimin e tij tha se rastet e tilla janë shumë të dhimbshme.

Ai tha se si kryeministër do të veprojë që kriminelët e luftës të marrin dënimin e merituar.

“Jemi këtu për të folur për një rast shumë të dhimbshme. Akoma i kemi të hapura plagët e luftës. Nuk mund ta imagjinojmë se çka kanë përjetuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, të izoluar dhe të stigmatizuar. Si aktivist dhe deputet e kam pasur për detyrë të flas, por sot si kryeministër e kam për detyrë të veprojë. Kriminelët e akoma nuk e kanë marrë dënimin e merituar “- tha Kurti.

I pari i qeverisë shtoi se institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe ato në Kosovë as pas 22 vjetësh nuk kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

Kurti theksoi se të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk kanë pasur përkujdesje institucionale.

“Kanë kaluar 22 vjet. As pas kësaj kohe të gjatë nuk kemi drejtësi. Me kalimin e kohës vdesin dëshmitarët, dhe viktimat pa pasur mundësi të dëshmojnë për rastet dhe kriminelët të marrin dënimet. Institucionet duhet të veprojnë më shpejtë. Në vitin 2013 Marte Tunaj e filloi misionin e guximshëm për të treguar krimet e bëra nga Serbia. Ajo vdiq me një pension prej 96 eurosh. Të mbijetuarat nuk kanë pasur mbështetje institucionale. Misionin po e vazhdon Vasfija e edhe Shyrhretja”-tha Kurti.

Albin Kurti u zotua se do t’i përkrahë institucionet e drejtësisë për të pasur mundësinë që kryesit e këtyre veprave të marrin dënimin e merituar.

“Institucionet e Kosovës kanë miratuar në Kodin Penal të Kosovës, mundësinë që të gjykohen dhe dënohen në mungesë kriminelët. Qeveria do ta trajtojë me seriozitet dhe do të mundohem që ti plotësoj të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë”.

I pari i qeverisë paralajmëroi se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid.

“Nuk mund të arrijmë paqe me Serbinë pa pranuar të kaluarën. Kjo temë duhet të bëhet pjesë e dialogut. Prioritet i Kosovës është Padia e Serbisë për Gjenocid “.

Ai i ftoi të mbijetuarat e dhunës seksuale të aplikojnë për njohjen e statusit.