Fjalë Kyçe

Kurti sfidon Thaçin: Jep dorëheqje e eja në fushatë

Kurti sfidon Thaçin: Jep dorëheqje e eja në fushatë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet ta respektojë kushtetutën. I ka bërë thirrje të japë dorëheqje nga posti i presidentit e të sfidojë veten në fushatë.

Ai duke iu përgjigjur deklaratave të sotme të presidentit Thaçi, tha se “ai duhet ta lirojë ulësen sepse nuk është i kënaqur vet me punën e tij”.

“Le të vijë në fushatë e të sheh votat që merr. Ai dëshiron të jetë më shumë se president e për këtë i duhet dikush që është më pak se kryeministër. Tek unë nuk mund ta gjejë këtë sepse është rezultati i 6 nëntorit 2019. Në këtë kuptim, kemi president të frustruar i cili po bëhet gati për fushatën zgjedhore. Më së miri, më së drejti e sinqerti, është të dorëhiqet e të vijë në fushatë. Institucionet nuk janë të bllokuara por kemi një karrige të bllokuar”, u shpreh Kurti, raporton KOHA.

Kurti, tutje tha se beson se Gjykata Kushtetuese nuk bjen në kundërshtim me vetveten, dhe as nuk lejon që dekretet e Thaçit të jenë autor të shkrimeve të Kushtetueses.

“Nëse ka zbrazëtira në Kushtetutë, s’mund t’i mbushë Thaçi me dekrete. Me gabimin që ai ka bërë, është shtuar edhe frustrimi i tij”, u shpreh Kurti.

Kurti, tutje ka folur për një provë protestash që para pak ditësh u mbajt në sheshin “Skënderbeu”.

Ka thënë se “ne nuk mbështesim as nuk i inkurajojmë protestat e ushtrimet për protesta”.

“Nuk e di nëse të gjithë kanë qenë në oraret e tyre, por s’na takon neve të vërtetojmë një gjë të tillë, por meqë kanë mbajtur distancën dhe nuk kanë qëndruar më shumë se 10 minuta, s’mund të jetë problem”, tha Kurti.