Fjalë Kyçe

Kurti: Tarifa ndaj produkteve serbe nuk është më e mirë se reciprociteti

Kurti: Tarifa ndaj produkteve serbe nuk është më e mirë se reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes nuk ishte “një supë që vlohet në mikrovalë, por ka qenë një bukë që piqet ngadalë e mirë”.

Ai këtë krahasim metaforik të fitores së LVV-së, e ka bërë gjatë një interviste për Televizionin Publik të Kosovës.

I pyetur për largimin e fotografisë së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga ana e kryeparlamentares, Vjosa Osmani dhe vendosjes e fotografisë së ish-Presidentit Ibrahim Rugova, ai ka thënë se nuk ka njohuri për këtë veprim të Osmanit, megjithatë ajo sipas tij kishte një arsye.

“Unë nuk e paskam ndjekë këtë lajm, sepse kam qenë në takime dhe aktivitete por është më mirë ta japë përgjigjen zonja Osmani. Nuk besoj që ajo shpreh qëndrime dhe bënë veprime pa arsye të thella. Besoj në arsyen e Osmanit që më së miri është të shprehë ajo. Mbase ka vërejtur ndonjë mungesë dhe ka vepruar ashtu”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për taksën ndaj produkteve të Serbisë, duke pohuar se “tarifa 100% nuk është as më e drejtë dhe as më e dobishme se reciprociteti. Unë dhe zonja Osmani kemi deklaruar gjatë fushatës që reciprociteti është masë më e mirë”.

Ai ka thënë se këtë çështje do ta diskutojë në një mbledhje të Qeverisë dhe pastaj do ta shtrojë këtë temë në takime me ndërmarrësit, që ta shohin se ku është interesi ekonomik.