Fjalë Kyçe

Kurti: Të gjitha vendimet e qeverisë në dorëheqje do të rishqyrtohen

Kurti: Të gjitha vendimet e qeverisë në dorëheqje do të rishqyrtohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e ish-Qeverisë Haradinaj, pas dorëheqjes së këtij të fundit në korrik të vitit të kaluar.

Shefi i ekzekutivit në një konferencë për media, pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova theksoi se ato vendime nuk e kanë statusin e njëjtë si para dorëheqjes.

“Të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik 2019, nuk mund të ketë statusin e njëjtë si vendimet pas kësaj date. Pra, po i referohem datës kur ish kryeministri dha dorëheqje. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër i saj do të kemi një rishqyrtim të gjithë kësaj fazës pas dorëheqjes së ish kryeministrit. Meqë rast konsiderojmë se për të filluar një kapitull të ri në Kosovë duhet të rrisim përgjegjësinë institucionale dhe ligjore në njërën anë, por qe besa edhe politike dhe morale. Dorëheqja është akt moral dhe nuk besojmë se vendimet dhe emërimet e më pastajme nuk e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë shtete ndërtimin demokratik dhe ligjshmërinë në Republikën tonë”, tha Kurti.

Për emërimin e zëvendësministrave në Qeverinë e tij, Kurti tha se nuk i kanë përcaktuar ende, pasi sipas tij prioritet i tanishëm është projektligji për vitin 2020, plani i punës dhe programi qeverisës.

Përkundër që kishte dhënë dorëheqje në korrik të vitit të kaluar, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj sa ishte në detyrë ka marrë një mori vendimesh, duke emëruar në pozita drejtorë të institucioneve dhe agjencive të ndryshme.