Fjalë Kyçe

Kurti thotë se do të bëjë koalicion me partinë e Sllobodan Petroviqit dhe jo me Listën Serbe

Kurti thotë se do të bëjë koalicion me partinë e Sllobodan Petroviqit dhe jo me Listën Serbe

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti në një intervistë për gazetarin Çim Peka ka thënë se do të bëjë koalicion me ata serbë që e njohin shtetin e Kosovës.
‘Ne po presim që partia e Sllobodan Petroviqit të fitojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe ne do të bëjmë koalicion me partinë e tij. Petroviqi është një politikan i dëshmuar e i cili edhe e njeh shtetin e Kosovës{, ka thënë Kurti, duke lënë të kuptohet se Lista Serbe nuk është pjesë e planeve për Qeverinë e re.

Subjektet politike, të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë kanë përfaqësuar komunitetin serb, presin dhe janë të gatshme të bashkëpunojnë me Qeverinë e re të Kosovës.

Njëri prej këtyre subjekteve thotë se pjesëmarrjen në qeverinë e re e kanë të garantuar me Kushtetutë, ndërkaq, subjektet tjera vlerësojnë që përbërja e qeverisë së re është shans, të cilin serbët e Kosovës nuk duhet ta lëshojnë.

Megjithatë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila si parti e parë me më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, pretendon postin e kryeministrit dhe formimin e qeverisë së re, ka thënë se Lista Serbe duhet të shkojë në opozitë dhe se për postin e një ministri nga komuniteti serb, do të bisedojë fillimisht me partitë tjera serbe.

Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe dhe bartës i listës zgjedhore të këtij subjekti politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë që subjekti i tij politik ka fituar zgjedhjet në mjediset me shumicë serbe dhe tashmë ka të drejtën e garantuar me të gjitha aktet juridike të Kosovës, që të propozojë anëtarët për Qeverinë e Kosovës.

Slobodan Petroviq, lider i Partisë së Pavarur Liberale, beson që pas numërimit të votave, ky subjekt politik do të arrijë të futet në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i hapur për çfarëdo lloj bashkëpunimi me qeverinë e ardhshme, e cila do të çonte drejt një jete më kualitative, para së gjithash, të komunitetit serb, por edhe të gjithë qytetarëve tjerë të vendit. Ai thekson se partia e tij, tash e disa vite është angazhuar për bashkëjetesë dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve, në nivelin lokal. Për Kurtin, ai thekson që është një person që i përmbahet qëndrimeve të tij dhe beson që edhe më tej do të jetë i tillë.

Nenad Rashiq, bartë i listës së koalicionit “Liria”, thotë që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë qenë destruktiv ndaj institucioneve të Kosovës dhe se i kanë keqpërdorur serbët e Kosovës, duke theksuar që veprimtaria e tyre në institucione ka qenë e karakterit personal, ku përfitime kanë pasur vetëm individët.