Fjalë Kyçe

Kurti thotë se gjendja e mediave në Kosovë nuk është më e mira

Kurti thotë se gjendja e mediave në Kosovë nuk është më e mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion të rrjetit të Agjencive të Lajmeve të Evropës Juglindore (ABNA) me të cilët ka diskutuar për prioritetet e Qeverisë, situatën me pandeminë COVID-19 dhe rolin e medias në pasqyrimin objektiv të realitetit pandemik, ndërsa ka thënë se “gjendja e mediave në Kosovë nuk është më e mira, por nuk është edhe shumë keq”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se mediat në përgjithësi kanë kontribuar në informimin e publikut për gjendjen epidemiologjike. Por, vazhdoi ai, ka pasur edhe media që shpesh i kanë dëmtuar përpjekjet për menaxhimin e pandemisë, duke raportuar lajme të paverifikuara dhe dezinformata, të lansuara madje edhe nga deputetë opozitarë.

Kryeministri tutje i njoftoi përfaqësuesit e agjencive të lajmeve edhe për veprimet ligjore që ka marrë Qeveria për luftimin e korrupsionit. Ai shtoi se “fatmirësisht korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por është sistem i etabluar në institucione, dhe si i tillë ka më shumë mundësi të luftohet”.