Fjalë Kyçe

Kusari-Lila: Mentor Shala të kërkojë falje për gjuhën e përdorur ndaj deputetes, Daorsa Kica

Kusari-Lila: Mentor Shala të kërkojë falje për gjuhën e përdorur ndaj deputetes, Daorsa Kica

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se zëvendësdrejtori i RTK-së, Mentor Shala, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe mizogjene ndaj kryetares së Komisionit për Media, deputetes Doarsa Kica – Xhelili.

Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se postimi i Shalës për Kicën tregon nivelin e katandisjes së një individi, që sipas saj problemet dhe dështimet profesionale mundohet t’i mbulojë me fyerje e intimidim personal ndaj një personaliteti publik.

“Si shefe e grupit parlamentar të LVV, si grua dhe vendimmarrëse, e konsideroj jo vetëm të ulët dhe totalisht të papranueshme këtë gjuhë, por edhe me pasoja për mënyrën se si vazhdojnë të trajtohen gratë në jetën publike me përgjegjësi në vendimmarrjen politike”.

“Z. Shala jo vetëm që duhet të tërhiqet dhe kërkoj falje për këtë deklaratë ndaj znj. Xhelili, por ai duhet të ju kërkoj falje të gjitha grave dhe vajzave të cilat punojnë sot në RTK, të cilat ky i ofendoi me postimin e tij, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, e cila është njëherësh edhe kolegia e tij në RTK”.

“Asnjë ofendim dhe gjuhë fyerse nuk mund të ndalë reformën në vend. Asnjë linçim dhe intimidim, nuk e zbraps vullnetin për të vazhduar proceset përparuese, në të kundërtën, në këto situata, ne vetëm e kuptojmë se sa e domosdoshme dhe sa e vonuar është reforma për vendin. Ata të cilët refuzojnë ta kuptojnë këtë, do të mbesin të dëshpëruar dhe turpëruar për veten e vet”, ka shkruar Kusari-Lila.