Fjalë Kyçe

Kusari-Lila: Nuk kemi nënshkruar koalicione, llogarisim në vota të qytetarëve

Kusari-Lila: Nuk kemi nënshkruar koalicione, llogarisim në vota të qytetarëve

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, tha se deri tani nuk kanë formalizuar asnjë koalicion për bashkëqeverisje në komunën e Gjakovës, por se kanë zhvilluar takime me disa subjekte.

“Deri më tani koalicione zyrtare nuk ka pasur, llogarisim në vota të qytetarëve natyrisht edhe pse ne jemi fokusuar në të gjitha strukturat gjeografikisht dhe në aspektin shoqëror të shtrira në komunën e Gjakovës. Është e vërtetë që kemi pasur takime por nuk ka pasë formalizim në nivel të bashkëqeverisjes”, tha Kusari Lila.

E bindur në fitore me 14 nëntor, Kusari Lila tha se pas zgjedhjeve do të ketë marrëveshje për qeverisje në asamble komunale.

“Unë jam e bindur se menjëherë pas procesit zgjedhor të suksesshëm me 14 nëntor atëherë për qeverisje në asamble komunale do  të ketë marrëveshje politike në kuptimin e ekzekutivit, por aktualisht hyjmë në raundin e dytë gjegjësisht në balotazh në thirrje të të gjithë kandidatëve të cilët nuk janë pjesë e listës së balotazhit që të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve me 14 nëntor, por ne si Vetëvendosje në këtë rast me kandidaturën time nuk ka zyrtarisht, përveç me qytetarët e Gjakovës që kanë të drejtë vote, nënshkrime të koalicioneve paraprake”., tha ajo në klankosova.

Kusari Lila shtoi se nëndegë të partive në komunën e Gjakovës kanë ofruar ndihmën e tyre vullnetare për kandidaturën e saj.

“Nënshkrimi i marrëveshjes është jo domosdoshmërisht transfer automatik i votave të kandidatëve që nuk janë në balotazh. Qytetarët e kanë mendimin e vetë se kënd do ta votojnë për raundin e dytë, mund t’u thonë ose të mos u thonë strukturat e partive, por kemi pasë kanale të hapura të komunikimit, kemi biseduar jemi dakorduar në disa raste ka pasur edhe vullnetarisht ofrim të ndihmës nga nëndegë të partive të tjera vetëm me vullnetin e tyre qytetar për të ndihmuar në procesin zgjedhor”, tha Kusari Lila.