Fjalë Kyçe

Kusari-Lila: Qeveria tani është në muaj të mjaltit dhe bën shkelje të përditshme

Kusari-Lila: Qeveria tani është në muaj të mjaltit dhe bën shkelje të përditshme

Deputetja Mimoza Kusari-Lila në KTV ka thënë se Kurti kishte deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe, por jo që s’do të ketë ministër të minoritetit serb.

“Asnjëherë Kurti nuk ka thënë se nuk do të ketë serbë në koalicion. Duhet të jetë një ministër serb që e ka mbështetjen e deputetëve serbë në Kuvend. Lista Serbe sot nuk ka thënë se do ta votojmë qeverinë Kurti, por ka thënë se nuk do të bllokojnë themelimin e qeverisë. Kurti ka thënë se nuk do të nënshkruajë koalicion me Listën Serbe, e ky ministër duhet ta ketë mbështetjen e pakicës serbe”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila thotë se nuk do të donte që të krijohej një qeveri e pakicës, pasi Kosova është në rrethana mjaft të këqija.

“Themelimi i qeverisë nënkupton ndërprerjen e mandatit të qeverisë që po shkon, si dhe miratimin e buxhetit. Mund të shtynte diçka përpara por që nuk do të ishte afatgjate. Jo vetëm për faktin e jetëgjatësisë, por se vendit i nevojitet një stabilitet”, ka thënë ajo.

Mimoza Kusari-Lila megjithatë ende është optimiste se do të ketë lëvizje drejt arritjes së marrëveshjes me LDK-në.

“Në këto pak orë që kanë mbetur shpresoj që të reflektohet dhe të respektohet vullneti i popullit. Po, shpresoj se të dyja partitë të lëvizin nga qëndrimet e betonizuara. Nuk e shoh asnjë problem nga ana e Vetëvendosjes që të ketë lëvizje nga pozicioni aktual dhe nuk e kam ndjerë se kjo është e fundit. VV-ja është e gatshme që të flasë rreth koalicionit. Nuk mund ta them një propozim në studio, por në negociata është diskutuar ai model. Problemi tani është se LDK-ja ka thënë se nuk lëvizim nga ky model. Shumë është e rëndësishme që në momentin kur nga njëra anë ka vullnet që të lëvizin, e nga njëra anë të mos ketë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj të dyja partitë mbajnë përgjegjësi, porse Vetëvendosje duhet të ofrojë zgjidhje.

“Përgjegjësia është e të dy partive, dhe e Vetëvendosjes si partia e parë. Shumë pak prej krejt këtij mundi shumë pak do të kujtoheshin, nëse do të kishte një qeverisje të mirë. Tani kemi filluar të hyjmë në fazën e rrezikshmërisë ku kontestohet vullneti i qytetarëve. Askujt nuk i intereson se kush çka merr, por ju intereson stabiliteti shtetëror. Ajo çfarë është krijuar më 6 tetor është e paparë dhe nuk besoj se do të humbet në tavolinë, dhe jam optimiste se do të ketë lëvizje. Vetëvendosje e ka përgjegjësinë të ofrojë zgjidhje dhe ideja është që duhet të mos humbet fokusi që kjo qeveri të shkojë në shtëpi. Qeveria tani është në muaj të mjaltit, dhe bën shkelje të përditshme. E prandaj është një situatë emergjente që të themelohen institucionet”, ka thënë ajo.