Fjalë Kyçe

Kusari-Lila: Shkarkimi Dakës është bërë sipas dispozitave ligjore

Kusari-Lila: Shkarkimi Dakës është bërë sipas dispozitave ligjore

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar deklaratat e opozitës të cilët kanë akuzuar pozitën për kapje të shtetit. Ajo po ashtu ka folur për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së.

Në seancën e ardhshme të Kuvendit, ku pritet të shqyrtohet rekomandimi për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, Kusari-Lila tha se raporti jep arsyeje të mjaftueshme për shkarkimin e këtij Këshilli.

“Ne si kryesi kemi pranuar raportin e Komisionit për mediet administratë publike dhe qeverisje lokale që ka vendos që për shkak të shkeljeve të këtij Këshillit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës që ka rekomanduar shkarkimin e 5 anëtarëve. Nga grupet tjera të partive politike u kërkua kthimi prapa sepse nuk ka pasë arsye të mjaftueshme”, tha Kusari-Lila.

“Praktikë e partive opozitare është bërë që të akuzohemi e të etiketohemi që kinse dëshirojmë të bëjmë shkelje e të kapim institucione përderisa gjithçka është sipas rregulloreve dhe ligjeve, unë mendoj që nuk po munden me pranua realitetin”, deklaroi ajo.

Tutje, ajo tha se shkarkimi i ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës, është bërë sipas dispozitave ligjore.

“Derisa ata mendojnë që duhet të procedojnë tutje çështjen e Dakës ne kemi besim të plotë që gjithçka është bërë sipas dispozitave ligjore”, tha Kusari-Lila.