Fjalë Kyçe

Kush është Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale e FSK-së

Kush është Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore dhe Inspektore Gjenerale e FSK-së

Gjeneralja e FSK-së, Irfete Spahiu nga kjo e premte do ta mbajë edhe një gradë tjetër. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka graduar Spahiun gjeneralmajore në FSK.

Përveç kësaj, gjeneralmajorja e ushtrisë është emëruar edhe Inspektore Gjenerale e FSK-së. Fakti që Irfete Spahiu është gruaja e parë në Kosovë që mban gradën e gjeneralmajores e bën më të veçantë këtë ceremoni.

Njësoj si detyrat tjera, edhe këtë detyrë Spahiu u zotua se do ta kryejë me përgjegjësi, raporton T7.

“Faleminderit të gjithëve për prezencën mbi të gjitha kjo është përgjegjësi e imja, po shpresoj dhe besoj, ashtu siç kam besuar deri më tani në veten time që, besimin që institucionet e Republikës së Kosovës ma kanë dhënë, do ta kryej me nder dhe dinjitet”.

Por kush është gjeneralmajorja më e re e Ushtrisë së Kosovës?

Irfete Spahiu mban gradën gjeneral brigade nga 6 marsi i vitit 2018, duke u bërë e para grua me këtë gradë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ajo ka udhëhequr Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj. Spahiu është një juriste dhe ekonomiste. Është fëmija i parë i dy prindërve mësues të pensionuar.

Në vitet ’90 ajo ka punuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si bashkëpunëtore profesionale. Karrierën ushtarake e ka filluar më 6 mars 1996, kur ka dhënë edhe betimin në UÇK.

Në prill të vitit 1998 në Zonën Operative të Drenicës, Spahiu ishte një ndër pesë eprorët e parë të kësaj zone dhe e vetmja grua në këtë pozitë. Pas luftës, në vitin 2000, ajo u gradua si kolonelja e parë dhe e vetmja grua me këtë grade, duke u bërë një ndër 34 eprorët e parë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Më pas në FSK, Spahiu shërbeu për tre vjet e gjysmë si drejtore e departamentit për personelin, kurse nga viti 2012 mori detyrën e zëvendëskomandantit të FSK-së. Spahiu është në përfundim të dy doktoraturave, të dyja në fushën e ekonomisë dhe financave.