Fjalë Kyçe

Kush është kosovari që ruan hyrjen e selisë së OKB-së

Kush është kosovari që ruan hyrjen e selisë së OKB-së

Fatos Zabërgja nga Kosova është oficeri amerikan që, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka “ruajtur” të martën hyrjen e selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork.

Zabërgja, i cili është pjesë e Njësisë për Mbrojtje të Afërt në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit, është bërë pjesë e një video të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, të martën.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri i Shqipërisë, përveç liderëve të shteteve të ndryshme, ka takuar edhe Fatos Zabërgjën, burrin me prejardhje nga Kosova, me të cilin përmes një videoje në profilin e tij ka dhënë një mesazh, raporton Insajderi.

“Kosova po e ruan derën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Rama të martën. Ndërkohë, oficeri me prejardhje nga Kosova është përgjigjur shkurtimisht: “Patjetër”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1219226281583298/

Zabërgja është përmendur edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën.

Thaçi, duke marrë shkas nga një polic me prejardhje nga Kosova që po ruan hyrjen e selisë së OKB-së, në një deklarim për Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se ndihet mirë kur e di që Vuçiq ka hyrë në selinë e OKB-së “përmes njerëzve të Kosovës” – duke iu referuar oficerit Zabërgja.

“Mua më vjen mirë që Vuçiq ka hyrë në dyert e OKB-së përmes njerëzve të Kosovës, ndërsa në anën tjetër dëshiroj të theksoj se këto që thotë Vuçiq janë qesharake. Nëse ai ka hyrë nga tavani në selinë e OKB-së, ne kemi hyrë nga dera”, ka thënë Thaçi.