Michael Owen beson se dy yjet e Premierligës, Harry Kane dhe Eden Hazard, do të përshtateshin shumë mirë në Real Madrid.
Ylli i Tottenhamit, Kane, ka qenë i lidhur me një transferim në Santiago Bernabeu për shkak të paraqitjeve të tij të mira si qendërsulmues për klubin londinez. Në 249 paraqitje, anglezi i ka shënuar 164 gola, transmeton Gazeta Express.
Por, është heroi i Chelseat, Hazard, ai i cili është favorit për transferimin në Madrid. Jo vetëm që belgu ka flirtuar vazhdimisht me gjigantin spanjoll, përmes deklaratave, por tani raportohet se drejtuesit e Real Madridit i kanë kontaktuar drejtuesit e Chelseat për një ofertë prej 115 milionë eurosh për ta transferuar belgun gjatë verës.
“Los Blancos” janë në kërkim të një ylli të ri pas humbjes së ish-yllit të skuadrës, Cristiano Ronaldos, gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar. Ish-lojtari i Real Madridit dhe Anglisë, Owen beson se opsioni më i mirë për madrilenët është dyshja Kane-Hazard.
“Ka shumë lojtarë dhe skuadra të mira në Premierligë. Ne i shohim që ata po bëjnë punë të mirë në Ligën e Kampionëve. Natyrisht, ata do të përshtateshin mirë në Real Madrid”, ka thënë Owen.
“Kane është shumë i mirë, Hazard është shumë, shumë i mirë… që të dy janë lojtarë të mrekullueshëm, nuk kam asnjë dyshim për këtë gjë. Por, është e pamundur ta zëvendësosh Cristianon”.
“Një klub i vogël mund të transferojë shumë lojtarë, por klubet e mëdha e kanë një limit në transferimin e lojtarëve. Ndoshta janë dhjetë lojtarë në botë të cilët mund të transferohen në Real Madrid. Është shumë e komplikuar”.