Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti ka thënë se do të kthehen pastaj nëse do të ketë kuorum për votimin e pikave të rendit të ditës.
“Po marrim një pauzë deri në orën 15:00, për shkak se nuk kemi kuorum. Kthehemi pastaj nëse ka kuorum, nëse jo e shtyejmë seancën”, ka thënë Haliti.
Lidhur me mungesën e kuorumit ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se kjo seancë është hapur pa kuorumin e deputetëve.
“E keni hapur këtë seancë pa kuorum. Në çfarë gjendje e keni sjellë Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, Haliti reagoi duke thënë se kuorumi në seancë është mirëpo deputetët nuk janë duke votuar.
Kurse deputeti i i pavarur, Korab Sejdiu ka reaguar për seancën e Kuvendit të Kosovës e cila është duke u mbajtur edhe pse nuk e ka kuorumin e nevojshëm të deputetëve për kalimin e projektligjeve.
Sejdiu në një status në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në Kuvendin e Kosovës është duke u bërë shaka, pasi asnjë pike e vetme e rendit të ditës nuk mund të kaloj.
Ai ka kërkuar që të shpërbëhet menjëherë Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje.
“#Kuvend hajgare – një pikë të vetme s’mund ta kalojë! Duhet të shpërbëhet menjëherë! Zgjedhjet janë zgjidhje! This #Assembly is a joke – it can’t approve even a single issue! It should be disbanded immediately! Elections are the solution! #Zgjedhje #Elections #turp”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Kujtojmë se në rend ditë ishin 35 pika të mbetura nga seancat e kaluara.