Fjalë Kyçe

Kuvendi shkarkon bordin e AKP-së

Kuvendi shkarkon bordin e AKP-së

Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.

Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti pas shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e këtij raporti dhe shkarkimin e bordit të agjencisë.

Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Ajo ka thënë se mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë kthyer në depo apo hapësira për ndërtim. Një degradim i veçantë, sipas saj, ka ndodhur edhe me tokën bujqësore.

“Ndërprerja e funksionimit të bordit në përbërjen aktuale është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së një bordi profesionist, i cili brenda këtij viti do ta përmbyllë aktivitetin e AKP-së, do t’i përcjellë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin e likuidimit apo kontesteve që karakterizojnë procesin e privatizimit si dhe do të sigurohen që asetet e mbetura të paprivatizuara, të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.